Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës >
Objektivi i rregullave të reja tranzitore është modernizimi dhe përditësimi i rregullave të origjinës të përfshira në marrëveshjet e tregtisë së lirë të vendit tonë me vendet në rajonin Pan-Euro-Mesdhetar (PEM), duke i bërë ato më fleksibël dhe më të lehta për përdoruesit. Zbatimi dypalësh kalimtar ("periudha tranzitore") do të përfundojë më 31 dhjetor 2024, pasi Konventa e rishikuar PEM do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.
Disa nga përfitimet e rregullave të rishikuara të origjinës janë:
Rregulli “Kumulim i plotë" do të zbatohet për shumicën e produkteve të nomenklaturës së mallrave, me përjashtim të tekstileve (kapitujt 50-63). Bazuar në këtë kumulim, operacionet apo 'vlera e shtuar' e nevojshme që një produkt të përftojë origjinën preferenciale, mund të ndahet midis vendeve që marrin pjesë në prodhimin e tij dhe që zbatojnë rregullat e rishikuara. Për produktet e përfshirë në kapitujt 50 deri 63 dhe vetëm për qëllime të tregtisë dypalëshe, pjesëmarrësit në procesin e Stabilizim-Asociimit të Bashkimit Evropian dhe Republika e Moldavisë konsiderohen si një Palë Kontraktuese aplikuese. Palët në Konventë mund të shtrijnë kumulimin e plotë për tekstilet dhe produktet tekstile në mënyrë të njëanshme.
Rregullat e zbatueshme për produktet specifike gjithashtu janë më fleksibël dhe më të lehta për t’u përmbushur: pragjet për përdorimin e materialeve ose përbërësve jo origjinues janë rritur nga 10% në 15%.
Për shumicën e produkteve, ndalimi aktual i kthimit të detyrimeve doganore hiqet. Prandaj, tarifat doganore të paguara për materialet jo-origjinuese të importuara dhe të përfshira në produktet përfundimtare të eksportuara si origjinuese mund të rimbursohen (me përjashtim për produktet e klasifikuara në Kapitujt 50 deri 63 të NK).
Përmirësime të tjera ka në fushën e logjistikës, ku rregulli aktual i "transportit të drejtpërdrejtë", i cili e bën të vështirë për mallrat që kalojnë në një vend të tretë të ruajnë origjinën e tyre preferenciale, është zëvendësuar me një rregull "fleksibël", ai i “Mos-manipulimit”.
Në fushën e procedurave doganore, lëshimi i provave të origjinës është lehtësuar, pasi origjina provohet vetëm nëpërmjet certifikatës EUR.1 dhe Deklaratës së origjinës, si dhe lejohet lëshimi dhe paraqitja elektronike e certifikatave lëvizëse të origjinës EUR.1 (certifikata e origjinës EUR MED dhe deklarata e origjinës EUR MED nuk do të lëshohen më). Gjithashtu edhe vlefshmëria e tyre është zgjatur, nga 4 në 10 muaj;
Konventa PEM do të mbetet në zbatim të plotë midis të gjitha Palëve Kontraktuese të saj siç është aktualisht. Sidoqoftë, biznesi dhe industria do të kenë mundësinë të zbatojnë rregullat e reja për mallrat që ata tregtojnë në vend të atyre aktuale PEM, sa herë që kjo u përshtatet atyre. Prandaj përdorimi i tyre është një mundësi shtesë, dhe jo një detyrim.
Këto rregulla do të zbatohen si rregulla alternative ndaj atyre të Konventës PEM në pritje të përfundimit të procesit të rishikimit të Konventës PEM.
Për të zbatuar këto rregulla në Nënkomitetet e përbashkëta të MTL përkatëse janë marrë vendimet e mëposhtme:
Vendimi Nr. 1/2021, i Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian–Shqipëri, ratifikuar me Ligjin Nr. 98/2021, datë 07.07.2021, ndryshoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërmjet Komuniteteve Evropiane dhe Shteteve të tyre Anëtare, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, duke zëvendësuar Protokollin 4 në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, me Rregullat Transitore të origjinës si rregulla alternative. Rregullat tranzitore të origjinës kanë filluar të zbatohen në tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe BE –së më 1 shtatori 2021.
Vendimi Nr. 1 i Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri, ratifikuar me Ligjin Nr. 99/2021, datë 07.07.2021 dhe Ligjin Nr.122/2021, datë 17.12.2021, ndryshoi protokollit B të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve EFTA dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, me Rregullat Tranzitore të Konventës PEM si rregulla alternative, si dhe marrëveshjet për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës, Republikës së Islandës, si dhe Mbretërisë së Norvegjisë duke mundësuar zbatimin e rregullave transitore të origjinës si rregulla alternative nga data 1 Janar 2022.
Vendimi Nr. 1/2021 i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, ratifikuar me Ligjin Nr. 101/2021, datë 07.07.2021, për ndryshimin e Shtojcës 4 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), që përcakton protokollin në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, të referuar në nenin 14, paragrafët 1 dhe 3, dhe që shfuqizon dhe zëvendëson vendimin Nr. 3/2013 dhe vendimin Nr. 3/2015 të CEFTA 2006, me Rregullat Tranzitore të origjinës si rregulla alternative, duke mundësuar zbatimin e rregullave transitore të origjinës si rregulla alternative nga data 1 shkurt 2023.