Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës >
Konventa pan-Euro-Mesdhetare e rregullave të Origjinës Preferenciale
Rregullat e origjinës specifikojnë se si duhet të prodhohet një produkt për të marrë statusin origjinues. Nëse një produkt ka statusin origjinues, kjo i jep mundësinë për të përftuar trajtim tarifor preferencial të reduktuar ose zero gjatë importit.
Për të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë që zbaton Shqipëria si me BE-në; Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin (shtetet e EFTA-s); Bosnjën dhe Hercegovinën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, (shtetet e CEFTA-s) dhe Turqinë zbatohen rregullat e origjinës në Konventën Rajonale mbi Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mesdhetare (Konventa PEM).
Konventa PEM paraqet rregullat që duhet të plotësojnë mallrat për të fituar statusin origjinues në një vend të caktuar si dhe mundëson zbatimin e Kumulimit të origjinës së mallrave ndërmjet vendeve partnere në këtë Konventë.
Deri më 31 dhjetor 2025, Konventa PEM përmban dy grupe rregullash: rregullat "e vjetra" të vitit 2012, të cilat mund t'i përdorin të gjitha palët (Ligji 1/2012); dhe rregullat "e rishikuara" të miratuara në vitin 2023 (Ligji 59/2024), por të përfshira si rregulla opsionale "kalimtare" që nga shtatori 2021 për disa nga palët kontraktuese.
Më shumë rreth rregullave të rishikuara
Më 7 dhjetor 2023, të gjitha palët në Konventën PEM votuan në favor të zëvendësimit të rregullave të vjetra me rregullat e rishikuara. Vendimi do të thotë që rregullat e vjetra do të hiqen gradualisht pas një periudhe tranzicioni dhe se vetëm rregullat e rishikuara do të zbatohen për të gjitha palët në Konventë dhe marrëveshjet e tyre të tregtisë së lirë. Rregullat e rishikuara janë rregulla më fleksibël dhe më të thjeshta krahasuar me rregullat e vjetra.
Vendimi i 7 dhjetorit 2023 parashikon hyrjen në fuqi të rregullave të rishikuara më 1 janar 2025. Për shkak të vonesave nga disa palë kontraktuese, nuk ishte e mundur të zbatoheshin rregullat e rishikuara në të gjitha marrëveshjet. Prandaj, u prezantua një periudhë tranzicioni për të siguruar që të gjitha palët të mund të zbatonin rregullat deri në fund të vitit 2025. Rregullat kalimtare për vitin 2025 (Ligji 4/2025) lejojnë që rregullat e vjetra PEM të vazhdojnë të bashkëjetojnë me rregullat e rishikuara deri më 31 dhjetor 2025. Në kushte të caktuara, rregullat kalimtare lejonin gjithashtu kumulimin kur një eksportues përdorte rregullat e rishikuara ndërsa një furnizues lëshonte një provë origjine bazuar në rregullat e vjetra.
Çfarë ndodh më 1 janar 2026
Nuk do të jetë më e mundur të përdoren rregullat e vjetra në marrëveshjet e tregtisë së lirë që kanë një lidhje dinamike me Konventën PEM, pasi periudha kalimtare përfundon më 31 dhjetor 2025. Nga 1 janari 2026, vetëm rregullat e rishikuara zbatohen në marrëveshjet e tregtisë së lirë me BE-në, shtetet e EFTA-s dhe shtetet e CEFTA-s. Kumulimi kufizohet në materialet që konsiderohen me origjinë sipas rregullave të rishikuara.
Nga 1 janari 2026, në Tregtinë me Turqinë derisa Vendimi i Komitetit të Përbashkë Shqipëri-Turqi të ratifikohet, do të zbatohen rregullat e vjetra të origjinës, ato të Protokolli II të MTL Shqipëri-Turqi. Kjo do të thotë që në tregtinë me Turqinë do të zbatohet vetëm kumulim bilateral.
Materialet e importuara para 1 janarit 2026
Materialet me një provë origjine të lëshuar sipas rregullave të vjetra PEM dhe të importuara nga vendet e BE-së , shtetet e EFTA-s, shtetet e CEFTA-s dhe Turqia para 1 janarit 2026 mund të përdoren ende për kumulim në përputhje me dispozitat kalimtare. Megjithatë, një kumulim i tillë lejohet vetëm deri më 31 dhjetor 2028.
Materialet e importuara pas 31 dhjetorit 2025
Materialet e importuara nga vendet e BE-së , shtetet e EFTA-s, shtetet e CEFTA-s dhe Turqia pas 31 dhjetorit 2025 që kanë marrë statusin e origjinës sipas rregullave të vjetra mund të përdoren vetëm për kumulim deri më 31 dhjetor 2028, me kusht që prova e origjinës të jetë lëshuar para 1 janarit 2026 dhe të paraqitet brenda periudhës së vlefshmërisë katërmujore. Nëse si lëshimi i provës së origjinës ashtu si edhe importimi ndodhin pas 31 dhjetorit 2025, kumulimi nuk është më i mundur.
Trajtim tarifor preferencial pas 31 dhjetorit 2025 sipas rregullave të vjetra
Vërtetimet e origjinës të lëshuara në vendet e BE-së, shtetet e EFTA-s, shtetet e CEFTA-s para 1 janarit 2026 sipas rregullave të vjetra, pa vërejtjen "RREGULLAT E RISHIKUARA", dhe të paraqitura pas kësaj date brenda periudhës së vlefshmërisë katërmujore, do të jenë ende të pranueshme për trajtim tarifor preferencial për mallrat të cilat më 1 janar 2026 janë ose në tranzit ose në një magazinë doganore.
Meqenëse, nga 1 janari 2026, në Tregtinë me Turqinë (derisa Vendimi i Komitetit të Përbashkë Shqipëri-Turqi të ratifikohet), do të zbatohen rregullat e vjetra të origjinës, dhe do të zbatohet vetëm kumulim bilateral, nëse produktet origjinuese Turke do të importohen në Shqipëri qoftë edhe me një provë të origjinës preferenciale të lëshuara nga vendet e BE-së, EFTAs, CEFTAs, ato do të konsiderohen si jo-origjinuese dhe ndaj tyre do të zbatohet tarifa bazë MFN.
Rregullat e rishikuara dhe përdorimi i provave të origjinës
Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025, në Kutinë 7 të certifikatës EUR.1 dhe tek një deklaratë origjine shënohet "REVISED RULE" (në vend të " transitional rules") kur përdoren rregullat e rishikuara.
Nga 1 janari 2026, nuk do të shënohet më “REVISED RULES" në provat e origjinës.
Certifikatat elektronike të origjinës
Më 12 dhjetor 2023, palët në Konventën PEM miratuan dispozita në rregullat e rishikuara të origjinës (Ligji 11/2025) për të pranuar certifikatat elektronike EUR.1. Vendet kontraktuese PEM me të cilat Shqipëria zbaton MTL që lëshojnë certifikata elektronike janë Turqia dhe Norvegjia.
Konventa Pan-Euro-Mediteriane e Rishikuar; Ligji 59/2024
https://www.qbz.gov.al/eli/fz/2024/113/03693d36-d2d4-40f5-a4c1-071c47b727ec