Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës >
Origjina preferenciale u jepet mallrave nga vendet e veçanta, të cilat kanë plotësuar kriteret e caktuara me qëllim përfitimin e trajtimit tarifor preferencial. Perfitimet tarifore jepen për mallrat e tregtuara në mes të vendeve të cilat kanë rënë dakord në marreveshje, ose kur njera palë e ka dhënë atë në mënyrë autonome. Përfitimet tarifore janë: tarifë doganore zero, tarifë e reduktuar ose tarifë zero brenda sasive të caktuara (kuota).
Statusi origjinues
Kriteret për përftimin e statusit origjinues në përgjithësi kërkojnë që mallrat të jenë tërësisht të përfituara ose të jenë të përpunuara në masë të mjaftueshme. Kjo do të thotë që mallrat ose duhet të jenë prodhuar nga lëndë të para të papërpunuara, ose përbërës që janë rritur ose prodhuar në vendin përfitues ose, nëse nuk është ky rasti, të paktën t’i jenë nënshtruar një sasie të caktuar të punimit apo përpunimit në vendin përfitues. Mallra të tilla konsiderohen të jenë "origjinuese".
Produkte tërësisht të përftuara
Konsiderohen produkte tërësisht të përftuara në një vend palë në një marrëveshje, produktet të cilat listohen në Nenin 5 të çdo MTL në fuqi.
Produkte të punuara ose përpunuara plotësisht
Produktet të cilat nuk janë tërësisht të përftuara konsiderohen të punuara ose përpunuara në masë të mjaftueshme nëse plotësohen kushtet e caktuara në listën e aneksit (lista e rregullave) të punimeve ose përpunimeve, që duhet ti nënshtrohen materialet jo-origjinuese, që produkti të marrë statusin origjinues. Ky aneks ndodhet në çdo MTL. Rregullat percaktojnë minimumin e punës ose të perpunimit të materialeve jo origjinuese në mënyrë që mallrat që rezultojnë pas përpunimit të marrin statusin origjinues.
Struktura e listës së rregullave bazohet në strukturën e NK dhe përmban për çdo pozicion kushtet përkatëse. Në një pozicion mund të jenë të gjitha produktet e një kapitulli, një kreu apo një grup krerësh tariforë, apo vetëm një përzgjedhje e veçantë e këtyre produkteve (pozicioni "ex"). Në rastin e një pozicioni “ex” rregulli vlen vetëm për produktin i cili përshkruhet në kolonën 2.
Prandaj, për të përdorur listën e punimeve ose përpunimeve është e nevojshme që së pari të përcaktohet kreu tarifor i produktit të përfunduar. Së dyti duhet të kontrollohet nëse produkti i përfunduar ka plotësuar kushtet e vendosura në kolonën 3 ose 4. Nëse nuk është ky rasti, një produkt mund të jetë ende origjinues nëqoftëse vlera e materialeve jo origjinuese nuk kalon rregullin e tolerancës së përgjithshme.
Kumulimi
Kumulimi diagonal i origjinës është i mundur me materialet (inputet) e marra nga disa vende partnere në tregtinë e lirë, me kusht që të gjithë të zbatojnë të njëjtat rregulla origjine, bazuar në protokollet e origjinës së Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë në fuqi, si dhe në kuadër të Konventës Rajonale pan-Euro-Mesdhetare të rregullave të origjinës preferenciale
Operacionet minimale
Operacionet minimale janë operacione që kur kryhen individualisht ose në kombinim, konsiderohen të pamjaftueshme për t’i dhënë statusin e origjinës produktit. Të gjitha MTL përmbajnë një nen, i cili përcakton punimet apo përpunimet të cilat do të konsiderohen si të pamjaftueshme për të dhënë origjinë. (Neni 7 i Protokollit nr 4 i MSA)
Këto operacione pengojnë marrjen e origjinës dhe në kontekstin e kumulimit këto përpunime nuk i japin mallit origjinën e vendit ku ato janë kryer.
Rregulli i tolerancës së përgjithshme
Lejon përdorimin e materialeve jo-origjinuese në prodhimin e mallrave brenda një përqindjeje të caktuar. Ky rregull nuk zbatohet për tekstilet e kapitujve nga 50 deri në 63 të Sistemit të Harmonizuar.
Rregulli i ndalimit të tërheqjes ose përjashtimit nga tarifat doganore
Ky rregull nënkupton ndalimin e rimbursimit, ose përjashtimeve nga tarifat doganore për mallrat jo-origjinuese të importuara dhe të përdorura në përpunimin/prodhimin e një produkti origjinues i cili do të eksportohet.
Parimi i territorialitetit
Parimi i territorialitetit do të thotë se punimi ose përpunimi duhet të kryhet në territoret e palëve.
Vendet palë në marrëveshje duhet të plotësojnë pa ndërprerje kushtet për përfitimin e statusit origjinues të mallrave.
Rregulli i transportit direkt
Marrëveshjet preferenciale të tregtisë përmbajnë rregulla në lidhje me transportin e mallrave preferenciale nga territori i njërës palë në palën tjetër. Qëllimi i transportit të drejtpërdrejtë është të sigurojë që mallrat që mbërrijnë në vendin e importit, të jenë të njëjta me ato që kanë lenë vendin e eksportit. Megjithatë, në qofte se për ndonjë arsye mallrat kalojnë tranzit përmes ose magazinohen ne territorin e një vendi të tretë me kusht qe ato të qëndrojnë nën mbikëqyrjen doganore, kushtet e transportit të drejtpërdrejtë konsiderohen se janë plotësuar.
Prova që vërteton nëse kushtet e transportit te drejtpërdrejtë janë plotësuar mund të jetë një dokument i vetëm transporti që mbulon kalimin e mallrave përmes vendit tranzit, ose ndonjë certifikatë tjetër, për shembull, një "certifikatë jo manipulimi", të lëshuar nga autoritetet doganore të atij vendi.
Rregullat mbi origjinën preferenciale të mallrave të cilat sigurojnë një trajtim tarifor preferencial për mallrat janë të specifikuara në legjislacionin doganor, si dhe në çdo Marrëveshje të Tregtisë së Lirë që Shqipëria ka nënshkruar me vende apo grupe vendesh.
Për më shumë informacion referojuni linkut: http://www.dogana.gov.al/d/169/182/249/263/marreveshjet-e-tregtise-se-lire