Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Rritje të cilësisë në ofrimin e shërbimeve doganore ndaj biznesit dhe qytetarëve, është qëllimi dhe objektiv i çdo dite pune për punonjësit e Doganës Shqiptare.
Autoritetet doganore kanë si mision kryesor mbikëqyrjen e tregtisë ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, duke kontribuar për tregtinë e hapur e të drejtë në zbatim të politikave tregtare dhe atyre të sektorëve të tjerë të ekonomisë shqiptare, që ndikojnë në tregti dhe në sigurinë e të gjithë zinxhirit tregtar.
Tradicionalisht, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Doganave (ICD) çdo vit, Sekretariati i OBD-së kushton një temë që është e rëndësishme për sfidat me të cilat ballafaqohet bashkësia doganore globale.
Slogani i zgjedhur për vitin 2021 është "Forcimi i Doganave Rimëkëmbja, Rinovimi dhe Qëndrueshmëria për një zinxhir të qëndrueshëm furnizimi".
Dogana, duke punuar me agjensi të tjera në kufi, luan një rol kryesor në lehtësimin e tregtisë dhe udhëtimeve, thjeshtimin, standardizimin dhe harmonizimin e procedurave kufitare dhe sigurimin e kufijve. Pandemia COVID-19 ka demonstruar rëndësinë dhe rolin kritik që Dogana luan në këtë kontekst, duke siguruar funksionimin e vazhdueshëm të zinxhirit të furnizimit dhe duke garantuar që mallrat thelbësore dhe mjekësore të kalojnë kufijtë pa vonesë në një kohë kur është më e nevojshme.
Historik…
Në kalendarin e festave ndërkombëtare, data 26 janar, llogaritet si “Dita Ndërkombëtare e Doganave”. Organizata Botërore e Doganave është e vetmja organizatë ndërqeveritare e fokusuar ekskluzivisht në çështjet doganore. Historia e OBD-së fillon që në vitin 1947 kur 13 qeveri evropiane themeluan Grupin Studimor për të krijuar një ose më shumë Unione Doganore Ndër Evropiane, i cili pas shumë vitesh aktivitet dhe pas anëtarësimit në të, të shumë shteteve, në vitin 1994 e ndërroi emrin në Organizata Botërore e Doganave.
Tashmë OBD është zëri i 179 administratave doganore, që operojnë në të gjithë kontinentet, ¾ e të cilave janë vende në zhvillim. Anëtarët e OBD-së janë përgjegjës për kryerjen e 98% të tregtisë ndërkombëtare.
Shqipëria është anëtare e OBD-së që prej gushtit 1992, dhe që prej asaj kohe merr pjesë aktivisht në takimet e Këshillit të OBD-së, komiteteve dhe nën komiteteve, duke përfituar nga eksperiencat më të mira të vendeve të zhvilluara dhe duke i implementuar ato në sistemin tonë doganor.