Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Dogana e Kosovës është prezente në Portin e Durrësit, në shërbim të sipërmarrjes kosovare duke u kthyer në Port strategjik për gjithë hapësirën shqiptare.
Në vijim të bashkëpunimit mes dy Qeverive, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës , si dhe në zbatim të vendimeve të mbledhjes së Pejës, tashmë është përmbushur vullneti politik i të dy vendeve. Ky vullnet i përbashkët është konkretizuar nëpërmjet një plani operacional të përbashkët, i cili aktuatisht është vënë në funksionim.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Zëvëndëskryeministëri i Kosovës, Fatmir Limaj, Ministrat e Financave të dy vendeve, Arben Ahmetaj dhe Bedri Hamza, si dhe dy Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave, Belinda Ikonomi dhe Bahri Berisha.
Kryeministri Edi Rama gjatë inaugurimit të kësaj zyre deklaroi , se ky është hapi i parë i bashkimit të plotë të doganave mes dy vendeve.
“Dogana e Kosovës këtu në Durrës është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Njohja reciproke e sistemeve doganore, e agjentëve doganorë, realizimi i qëllimit të administratës doganore edhe pse ka dy krahë, funksionon si një trup i përbashkët, ma ha mendja se përbën një lajm të rëndësishëm për të gjithë sipërmarrjen. Kjo shpejton lëvizjen e mallrave dhe e kthen kufirin në një kufi formal mes Shqipërisë dhe Kosovës. S’do ketë radhë të gjata më në pikat doganore. Pas bashkimit doganor do kemi edhe bashkimin e tregjeve”, theksoi zoti Rama.
Kreu i Qeverisë u ndal edhe të kufiri fluid, që sipas tij, do të jetë gati në pranverë mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të njëjtësimi i procedurave doganore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj e konsideroj hapjen e Zyrës Doganore si një nga projektet më të rëndësishme, pas shpalljes së Pavarësisë. “Ky është projekti i dytë më i rëndësishëm për Kosovën, pas atij të shpalljes së pavarësisë. Ky është vendimi i dytë i realizuar, vendosur nga mbledhje e dy Qeverive në Pejë. I pari ai i kufijve. Ky është lajm i jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës. Nga sot Kosova ka portin e vet”, tha Limaj.
Për ministrat respektiv të Financave të dy vendeve, hapja e zyrës doganore, do të ndikojë në rritjen ekonomike, por edhe në lehtësimin e procedurave dhe shkëmbimeve tregtare.
Porti i Durrësit tashmë me hapjen e zyrës së Doganës së Kosovës, kthehet në portë e vetme, unike hyrëse për sipërmarrjen kosovare në kuptimin e kontrollit doganor. Kjo do të thotë që çdo sipërmarrje kosovare mjafton që të inspektohet, të kontrollohet, në Portin e Durrësit dhe të ketë hyrje të drejtëpërdrejtë më pas drejt Kosovës.
Hapja e kësaj zyre lehtëson tregëtinë dhe lëvizjen e shpejtë të mallrave. Kjo pritet të reduktojë edhe kostot e bizneseve, si dhe do të ndihmojë që të rriten edhe shkëmbimet tregtare ves dy vendeve.
Sipas statistikave të shkembimeve tregtare volumi i importeve të mallrave me origjinë Kosovën për vitin 2018 ka qënë 194 mijë/Ton ose 6 % më shumë se një vit më parë. Ndërsa volumi i mallrave të eksportuara drejt Kosovës gjatë vitit 2018 ka qënë në masën 1,026,270 Ton me një vlerë prej 27,031 mln lekë ose 211 mln Euro. Këta tregues zënë një peshë specifike 26% ndaj totalit të eksporteve tona me të gjitha vendet. Krahasuar më një vit më parë vërehet rritje e eksporteve tona drejt Kosovës përkatësisht 38 mijë/ Ton më shumë, ose 4 % më shumë në peshë krahasuar me një vit më parë.