Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 25 Nëntor 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Fation Shehu, zhvilloi një takim online me Drejtues dhe ekspertë të UNCTAD (Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në kuadër të bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të platformës ASY5 EU, që mbështet digjitalizimin dhe automatizimin e proceseve doganore, duke mundësuar përpunimin elektronik të deklaratave dhe menaxhimin më efikas të procedurave.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e vijimit dhe forcimit të bashkëpunimit me UNCTAD, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të përbashkëta në përmbushjen e objektivave dhe prioriteteve të Administratës Doganore Shqiptare, veçanërisht në drejtim të zhvillimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të sistemit ASYCUDA W.
Nga ana e UNCTAD u rikonfirmua angazhimi për të vijuar dhe intensifikuar bashkëpunimin, si dhe gatishmëria për të mbështetur Administratën Doganore Shqiptare në implementimin e funksionaliteteve dhe komponentëve shtesë të kërkuar.
Diskutimet u përqendruan në avancimin e ASY5 EU, ku u konfirmua gatishmëria e palëve për të vijuar me testimet e konformitetit të Sistemit të Automatizuar të Eksportit (AES), si dhe për të nisur punën përgatitore për funksionalitete të tjera të rëndësishme, përfshirë Deklaratën Përmbledhëse të Hyrjes (ENS), njoftimet dhe magazinimin e përkohshëm, në mbështetje të përafrimit me proceset dhe sistemet doganore të Bashkimit Europian.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesës së Administratës Doganore Shqiptare për mbështetje në adoptimin e sistemit NCTS 6 Opt-in, si dhe mundësive të integrimit të inteligjencës artificiale në ASY5 EU. Në këtë drejtim, u diskutua potenciali i përdorimit të AI për të asistuar punonjësit doganorë në verifikimin dhe shqyrtimin e dokumenteve shoqëruese, duke kontribuuar në përpunimin më efikas të dokumentacionit dhe forcimin e kontrolleve doganore.
Gjithashtu, u diskutua mbi funksionalitetet dhe zgjidhjet e mundshme për tregtinë elektronike (e-commerce), si dhe përfshirjen e funksionalitetit të njohjes automatike të targave të automjeteve (ANPR) në ASY5. Palët shqyrtuan po ashtu edhe mundësinë e zgjerimit të marrëveshjes ekzistuese të bashkëpunimit, përmes përfshirjes së komponentëve dhe funksionaliteteve shtesë, si NCTS 6 Opt-in, e-commerce, ASYHUB dhe Sistemi i Lëvizjes dhe Kontrollit të Produkteve të Akcizës (EMCS).
Zhvillimi i mëtejshëm i ASY5 EU dhe përfshirja e funksionaliteteve të reja synojnë të mbështesin modernizimin e proceseve doganore, rritjen e efikasitetit operacional dhe përafrimin e Administratës Doganore Shqiptare me standardet dhe sistemet doganore të Bashkimit Europian.