Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Vlerësimi i dhënë nga Komisioni Evropian për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe posaçërisht për angazhimin e Administratës Doganore në rrugën e proceset e integrimit është certifikimi i një pune intensive për të gjithë, me detyra e angazhime konkrete.
Negociimi për Kapitullin e 29-të dhe përmbushja e objektivave të kërkuara prej tij kanë qenë për Administratën Doganore një kalendar pune, që kërkonte dhe kërkon profesionalizëm, dije e përkushtim, drejt qëllimit tonë përbashkët: Shqipëria në BE në vitin 2030.
Përfitoj nga rasti për të falënderuar punonjësit e Administratës Doganore, jo vetëm për trajtimin serioz e me përgjegjësi të çdo detaji administrativ, institucional e jo vetëm, të lidhur me negociatat, por mbi të gjitha për cilësinë e dëshmuar në secilën "përballje" me kolegët evropianë në Bruksel e Tiranë.
Një dëftesë pozitive u mor, por sfidat e shumta janë përpara nesh, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të sjellë edhe përfshirjen e vendit tonë në Bashkimin Doganor të vendeve anëtare. Ky nuk është dhe nuk do të jetë një proces i lehtë, pasi Familja e madhe Evropiane, jo vetëm do të na pranojë në gjirin e saj, por do të na besojë edhe çelësat e portës doganore të Bashkimit Evropian.
Ndaj Administrata Doganore është në një këmbëngulje të vazhdueshme për të arritur standardet që kërkon BE-ja, me bindjen e plotë se do të jemi plotësisht gati për të përmbushur të gjithë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi. Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së, me meritë të plotë dhe dinjitet.