Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 vlerëson se vendi ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje dhe ka shënuar progres të mirë në Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, duke evidentuar përparimin në përafrimin e legjislacionit, modernizimin e sistemeve doganore dhe përgatitjet për integrimin në mjedisin digjital doganor të Bashkimit Evropian.
Në raport theksohen zhvillimet pozitive në përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së, veçanërisht në fushën e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe prekursorëve të drogës. Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Strategjisë së Teknologjisë së Informacionit, e cila orienton zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve doganore sipas kërkesave evropiane.
Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu progresin në zhvillimin e rrjetit të përbashkët të komunikimit CCN/CSI, si dhe përgatitjet për zbatimin e Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Tranzitit (NCTS) dhe Sistemit të Automatizuar të Eksportit (AES), të cilat përbëjnë elemente thelbësore për ndërveprueshmërinë e sistemeve doganore shqiptare me ato të BE-së.
Për periudhën në vijim, prioritetet kryesore mbeten miratimi Kodit Doganor dhe akteve zbatuese me legjislacionin evropian, zbatimi i sistemeve të reja informatike, forcimi i kapaciteteve administrative dhe organizative, si dhe intensifikimi i luftës kundër kontrabandës, korrupsionit dhe mallrave të falsifikuara, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian konfirmon ecurinë e reformave të ndërmarra nga Administrata Doganore Shqiptare dhe përbën një nxitje të rëndësishme për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.