Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 08 Tetor 2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në takimn rajonal mbi rregullat preferenciale të origjinës, të zhvilluar më 6–7 tetor 2026, në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, organizuar nga Sekretariati i CEFTA-s, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Europian (DG TAXUD).
Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të administratave doganore të palëve të CEFTA-s, si dhe ekspertë të Komisionit Europian nga DG TAXUD dhe DG GROW, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e çështjeve praktike që lidhen me zbatimin e Konventës Rajonale të Rishikuar Pan-Euro-Mesdhetare (PEM) për rregullat preferenciale të origjinës.
Nëntë muaj pas fillimit të zbatimit të rregullave të rishikuara, takimi shërbeu si një mundësi për të trajtuar sfidat e hasura në praktikë, për të diskutuar raste konkrete dhe për të nxitur një interpretim dhe zbatim sa më të njëtrajtshëm të dispozitave përkatëse nga administratat doganore.
Gjatë sesioneve u trajtuan çështje që lidhen me kumulimin e origjinës, rregullat e tolerancës, kushtet e mosndryshimit të mallrave, eksportuesit e regjistruar (REX) dhe eksportuesit e miratuar, provat e origjinës dhe verifikimin e tyre, si dhe zbatimin praktik të rregullave për kategori të veçanta produktesh, përfshirë tekstilet dhe veshjet.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e kapaciteteve profesionale, harmonizimin e praktikave doganore me standardet europiane dhe lehtësimin e tregtisë preferenciale në rajon.
Shkëmbimi i eksperiencave me administratat homologe dhe ekspertët e Komisionit Europian kontribuon në zbatimin më efektiv të rregullave të origjinës, rritjen e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë dhe forcimin e bashkëpunimit doganor në kuadër të CEFTA-s dhe procesit të integrimit europian.