Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Bruksel, 01 Tetor 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, u prit në një takim prezantues nga z. Gerassimos Thomas, Drejtori i Përgjithshëm për Taksat dhe Doganat në Komisionin Europian, si dhe zhvilloi diskutime mbi progresin e Shqipërisë në fushën e doganave me z. Philippe Duponteil, Drejtor i Shërbimeve Digjitale për Politikat Doganore dhe Taksat dhe z. Matthias Petschke, Drejtor për Doganat në DG TAXUD.
Në fjalën e tij, z. Beja bëri një panoramë të progresit në fushën e doganave, duke theksuar se aktualisht drafti i ri i Kodit Doganor është në konsultim publik, për t’u miratuar në vijim nga Kuvendi dhe strategjia e zhvillimit të sistemeve IT me standardet e BE-së ka hyrë në fazën e zbatimit.
Drejtuesit e lartë të DG TAXUD vlerësuan progresin e deritanishëm dhe inkurajuan ndërmarrjen e reformave në drejtim të sigurisë për tregun e përbashkët, pasi doganat shqiptare, në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, do të jenë porta e parë e hyrjes dhe porta e fundit e daljes në/drejt tregut të përbashkët europian.
Në takim, palët ndanë konkluzionin se Doganat Shqiptare kanë shënuar progres në zbatimin e Planit të Veprimit në zbatim të Strategjisë së Biznesit 2024–2027 e në mënyrë të veçantë në drejtim të përmirësimit të analizës së riskut në kontrollet doganore, përmirësimit dhe forcimit të kontrolleve aposteriore si dhe rritjes së kapaciteteve profesionale.