Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 30 Shtator 2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në Trajnimin Operativ Rajonal kundër trafikimit të paligjshëm ndërkufitar të pasurive kulturore, organizuar nga OSBE, në datat 21–25 shtator 2026, në Montpellier, Francë.
Aktiviteti pesëditor mblodhi ekspertë dhe përfaqësues të strukturave doganore, policore, institucioneve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të kulturës, me fokus forcimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërkufitar për parandalimin, identifikimin dhe hetimin e trafikimit të paligjshëm të objekteve me vlerë kulturore.
Një vëmendje e veçantë gjatë trajnimit iu kushtua rolit të administratave doganore dhe strukturave kufitare, si pjesë e vijës së parë të kontrollit në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore. Sesionet trajtuan ndër të tjera teknikat e kontrollit doganor dhe të intervistimit, përdorimin e inteligjencës doganore, analizën dhe targetimin e riskut, kontrollet e mjeteve dhe kontejnerëve, si dhe bashkëpunimin ndërmjet doganave dhe strukturave të tjera ligjzbatuese.
Programi ndërthuri sesionet teorike me ushtrime praktike dhe simulime, përfshirë kontrolle të mjeteve dhe skenarë të hetimit të rasteve të trafikimit të pasurive kulturore. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve të inteligjencës me burime të hapura (OSINT), hetimet financiare dhe kibernetike, trajtimin e sigurt të objekteve të sekuestruara dhe dokumentimin e origjinës së tyre.
Në fokus ishte gjithashtu forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar ndërmjet doganave, policisë, institucioneve të kulturës, muzeve dhe strukturave të tjera përgjegjëse, si një element thelbësor për identifikimin e rrjeteve të trafikimit dhe ndjekjen me efektivitet të rasteve ndërkufitare.
Pjesëmarrja në këtë trajnim kontribuon në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave doganore shqiptare dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm ndërkufitar.