Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 29 Shtator 2026 – Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në workshop-in ndërkombëtar kushtuar luftës kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore, i zhvilluar në Romë, Itali.
Aktiviteti u organizua nga projekti Western Balkan Criminal Justice (WBCJ) pranë Eurojust, në bashkëpunim me Komandën e Karabinierëve Italianë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, si dhe me projektet TOPCOP dhe WB PACT II.
Në workshop morën pjesë përfaqësues të autoriteteve gjyqësore, strukturave ligjzbatuese dhe administratave doganore nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet e Partneritetit Lindor, – Armenia, Azerbajxhani dhe Ukraina, – si dhe shtete anëtare të Bashkimit Europian.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit u diskutuan sfidat e përbashkëta dhe tendencat e reja të trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore, si dhe praktikat më të mira për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave. Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve përgjegjëse.
Pjesëmarrësit shkëmbyen eksperienca dhe analizuan raste konkrete hetimore, përfshirë çështje që kanë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Europian. Gjithashtu, u prezantuan instrumentet e bashkëpunimit dhe mbështetjes që ofrohen nga Eurojust dhe projekti WBCJ.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë aktivitet kontribuon në forcimin e bashkëpunimit me autoritetet partnere dhe në shkëmbimin e eksperiencave për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore, si një formë e krimit të organizuar ndërkufitar.