Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 28 Shtator 2026 – Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe Administratës Doganore Franceze, nisi sot në Tiranë seminari “Analiza e Riskut dhe Hetimi Doganor”, me pjesëmarrjen e ekspertëve francezë dhe përfaqësuesve të strukturave të Administratës Doganore Shqiptare.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, Zv/Ambasadori i Republikës Franceze në Tiranë, z. Olivier Tulliez, Atasheu Doganor, z. Hugues Chevalier, ekspertë të Administratës Doganore Franceze, si dhe drejtues e përfaqësues të strukturave doganore shqiptare.
Seminari, i cili zhvillohet nga data 28 shtator deri më 2 tetor, synon rritjen e njohurive dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të strukturave doganore në fushën e analizës së riskut dhe hetimit doganor, përmes shkëmbimit të eksperiencave, metodologjive dhe praktikave më të mira ndërmjet dy administratave.
Duke përshëndetur hapjen e aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin intensiv dhe të frytshëm me Administratën Doganore Franceze dhe asistencën e vazhdueshme të ofruar ndër vite në fusha të ndryshme të veprimtarisë doganore, nga legjislacioni dhe procedurat, deri te forcimi i strukturave ligjzbatuese.
“Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian dhe Administrata Doganore është e angazhuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 29. Forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe shkëmbimi i eksperiencës me administratat doganore të vendeve të Bashkimit Europian janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi”, u shpreh z. Beja.
Ai theksoi gjithashtu rolin që Administrata Doganore do të ketë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si në drejtim të garantimit të sigurisë dhe kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së, ashtu edhe në mbrojtjen e interesave financiare dhe administrimin e të ardhurave.
Në këtë drejtim, Administrata Doganore Shqiptare po punon paralelisht për përafrimin e legjislacionit, modernizimin dhe informatizimin e sistemeve, ristrukturimin institucional dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, me objektivin që brenda vitit 2028 të jetë e përgatitur për t’iu bashkuar familjes së doganave evropiane.
Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi se trajnimi do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të strukturave ligjzbatuese, në përmirësimin e analizës së riskut dhe në forcimin e kontrollit pas zhdoganimit, ky i fundit një ndër prioritetet në kuadër të përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian.
Seminari i kësaj jave vijon një seri aktivitetesh të përbashkëta mes dy administratave, pas trajnimit të zhvilluar më herët për kontrollin doganor të anijeve, duke konfirmuar angazhimin për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe shkëmbim të vazhdueshëm ekspertize ndërmjet Doganave Shqiptare dhe atyre Franceze.