Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 26 Shtator 2026 - Administrata Doganore Shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në drejtim të lehtësimit të tregtisë së ligjshme dhe mbrojtjes së konkurrencës së ndershme, ndërsa, nga ana tjetër, ka rritur efikasitetin e kontrolleve dhe forcën goditëse ndaj tentativave për shmangien e detyrimeve doganore.
Strukturat e Administratës Doganore, në bazë të analizës së riskut, kanë konkretizuar me sukses goditjen e një skeme kontrabande në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës, ku gjatë kontrollit të 3 mjeteve u konstatuan sasi mallrash të padeklaruara, si dhe ndryshime në natyrën e mallit, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Në përfundim të verifikimeve, Administrata Doganore ka vendosur masat administrative përkatëse, ka kryer sekuestrimin e sasisë së mallrave të konsideruara kontrabandë, si dhe ka referuar rastet penalisht pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Subjektet tashmë do të duhet të paguajnë jo vetëm vlerën e detyrimeve doganore të shmangura, e cila arrin në rreth 1.6 milionë lekë, por edhe penalitetet përkatëse në vlerën rreth 2.5 milionë lekë. Për pasojë, shuma totale e detyrimeve dhe penaliteteve arrin në rreth 4.1 milionë lekë.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar në mbështetje të ligjshmërisë dhe biznesit të ndershëm, ndërkohë që u bën thirrje të gjithë shtetasve, subjekteve importuese dhe atyre transportuese për respektimin e Kodit Doganor, legjislacionit në fuqi dhe procedurave përkatëse të deklarimit në doganë.