Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 25 Shtator 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, priti sot në Tiranë Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Greqisë, z. Dimitrios Bourikos, në kuadër të Takimit të 14-të Bilateral të Nivelit të Lartë mes dy administratave doganore.
Takimi, me pjesëmarrjen e delegacioneve të nivelit të lartë nga të dyja vendet, u fokusua në menaxhimin e përbashkët të kufirit, lehtësimin e tregtisë dhe lëvizjes, Green Lanes dhe SEED+, shkëmbimin elektronik të të dhënave, transformimin digjital, si dhe forcimin e bashkëpunimit kundër kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme.
Drejtori i Përgjithshëm Besmir Beja vlerësoi progresin e arritur që prej takimit të mëparshëm bilateral në Athinë, veçanërisht në zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për shkëmbimin elektronik të të dhënave. Në Kakavijë, faza e zbatimit nga pala shqiptare ka përfunduar dhe të dhënat po transmetohen elektronikisht drejt palës greke, ndërsa puna vijon për pikat e tjera kufitare.
“Qytetarët dhe bizneset e matin bashkëpunimin tonë me atë që ndodh realisht në kufi: sa presin, sa me efikasitet lëvizin mallrat, sa mirë shkëmbejmë informacionin dhe sa shpejt zgjidhim problemet praktike. Ky duhet të mbetet matësi ynë i përbashkët i suksesit,” theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja.
Palët vlerësuan gjithashtu zgjatjen e orarit të funksionimit në pikën Mavromati–Qafë Botë dhe ranë dakord të vijojnë monitorimin e flukseve në pikat e përbashkëta kufitare, me synim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve, mallrave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë periudhave me ngarkesë të lartë.
Një fokus i veçantë iu kushtua vijimit të Green Lanes dhe SEED+, forcimit të shkëmbimit të informacionit për analizën e riskut dhe kontrollet, si dhe bashkëpunimit mes strukturave doganore kufitare. Palët diskutuan gjithashtu forcimin e bashkëpunimit Sarandë–Korfuz, përmes kanaleve më të strukturuara të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave dhe Akcizës së Greqisë, z. Dimitrios Bourikos, vlerësoi progresin e bashkëpunimit mes dy administratave dhe rëndësinë e vijimit të punës së përbashkët për shkëmbimin e informacionit, digjitalizimin dhe menaxhimin më efikas të kufirit, duke konfirmuar angazhimin e palës greke për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.
Në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, palët shkëmbyen eksperienca edhe mbi sistemet digjitale doganore të BE-së, ndërveprueshmërinë dhe menaxhimin e riskut. Pala greke prezantoi sistemin e integruar të kufijve digjitalë TALOS, ndërsa u dakordësua vijimi i shkëmbimit të ekspertizës, trajnimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit teknik.
Takimi u përmbyll me dakordësimin për hapa konkretë drejt funksionalizimit të plotë të Green Lanes, përmirësimit të shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimit të bashkëpunimit operacional dhe administrativ mes dy Doganave.
Takimi i ardhshëm Bilateral i Nivelit të Lartë do të zhvillohet në Greqi