Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Sot më datë 14 Shkurt 2017, u nënshkrua në Tiranë Protokolli i Bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Shqiptare, përfaqësuar nga znj. Belinda Ikonomi, Drejtor i Përgjithshëm dhe Shoqatës së Industrialistëve Italianë në Shqipëri (Confindustria Albania), përfaqësuar nga z. Donato D’Agostino, Presidenti i Confindustria Albania.
Ky protokoll ka për qëllim jo vetëm lehtësimin e procedurave për shoqëritë italiane të pranishme në Shqipëri në kuadër të përmirësimit të dialogut Biznes – Doganë, protokoll i cili parashikon ndër të tjera, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta formuese, seanca informuese për operatorët e biznesit, seminare periodike mbi risitë në legjislacion, procedura, akcizë, etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka prioritet lehtësimin e marrëdhënieve me biznesin duke thjeshtuar kështu qasjen në shërbime dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për çështjet fiskale.
Nëpërmjet këtij Protokolli, palët marrin angazhimin maksimal jo vetëm për lehtësimin e biznesit, por edhe në parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe trafiqeve të paligjshme, falsifikimit, konfliktit të interesit, etj.