Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 31 Gusht 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me përfaqësues të operatorëve të postave të shpejta, në kuadër të modernizimit të proceseve doganore dhe zhvillimit të modulit të ri për deklarimin elektronik të dërgesave.
Në fokus të diskutimit ishte zbatimi i sistemit të deklarimit të parambërritjes dhe daljes së mallrave, përmes përdorimit të të dhënave elektronike të avancuara (EAD – Electronic Advanced Data), një proces që synon përafrimin e mëtejshëm të sistemeve doganore shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
Zhvillimi i modulit të postave të shpejta do t’u mundësojë operatorëve transmetimin elektronik të të dhënave të manifestit nga sistemet e tyre informatike drejt sistemeve doganore, duke krijuar një proces më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për administrimin e dërgesave.
“Modernizimi i sistemeve doganore kërkon bashkëpunim të ngushtë me të gjithë operatorët. Zhvillimi i modulit për postat e shpejta është një hap konkret drejt digjitalizimit të plotë të proceseve, duke na mundësuar menaxhim më të mirë të riskut, procedura më të shpejta dhe një shërbim më efikas për bizneset dhe qytetarët. Objektivi ynë është që këto zhvillime të realizohen brenda afateve të përcaktuara dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja.
Ky zhvillim pritet të sjellë përmirësim në menaxhimin e riskut, forcim të kontrolleve për qëllime fiskale dhe sigurie, administrim më efikas të të ardhurave, si edhe reduktim të kohës së përpunimit dhe shpërndarjes së dërgesave postare.
Procesi është pjesë e zbatimit të “Strategjisë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor Shqiptar në përputhje me sistemet e Bashkimit Evropian për periudhën 2025–2030 dhe Planit të Veprimit”, e cila përcakton afate konkrete për zhvillimin e sistemeve të reja doganore.
Gjatë takimit, operatorëve iu kërkua të realizojnë brenda afatit të përcaktuar, deri në dhjetor 2026, zhvillimet e nevojshme në sistemet e tyre informatike, si dhe të aplikojnë për autorizimin për përdorimin e procedurave të thjeshtuara, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Administrata Doganore vijon punën për ndërtimin e sistemeve moderne dhe të integruara, që garantojnë njëkohësisht siguri më të lartë, lehtësim të tregtisë së ligjshme dhe shërbime më efikase për operatorët ekonomikë.