Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Të ardhurat doganore për periudhën janar–korrik 2026 janë realizuar në masën 142 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 5,1 miliardë lekësh, ose 3,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo ecuri pozitive është mbështetur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat doganore, akciza dhe TVSH-ja. Të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me rreth 482 milionë lekë, të ndikuara ndër të tjera nga rritja e të ardhurave prej importeve të veshjeve, me rreth 109 milionë lekë, metaleve bazë me rreth 67 milionë lekë, si dhe kategorive të tjera të mallrave.
Akciza ka shënuar një rritje prej rreth 1,5 miliardë lekësh, e ndikuar kryesisht nga rritja e importeve të cigareve, me rreth 1,2 miliardë lekë më shumë. Kjo rritje është shoqëruar edhe me një rritje të sasisë së importuar të cigareve me rreth 100 tonë. Kontribut kanë dhënë gjithashtu duhani i prodhimit vendas me rreth 47 milionë lekë, duhani i importit me 33 milionë lekë, vera me 26 milionë lekë dhe kafeja me 25 milionë lekë.
Të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me rreth 3,3 miliardë lekë, ku ndikimin kryesor e ka dhënë karburanti i importit me 1,8 miliardë lekë, veshjet me 562 milionë lekë, cigaret me 447 milionë lekë, etj.
Ecuria e 7-mujorit reflekton një kontribut të qëndrueshëm të kategorive kryesore të mallrave në realizimin e të ardhurave doganore gjatë vitit 2026.