Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 11 Gusht 2026 - Të ardhurat doganore për muajin korrik 2026 janë realizuar në masën 23,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 223 milionë lekësh, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Kjo ecuri pozitive është mbështetur nga performanca e zërave kryesorë të të ardhurave, me rritje në taksat doganore, akcizën neto, TVSH-në dhe rentën minerare.
Të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me rreth 19 milionë lekë, ndërsa akciza neto ka shënuar një rritje prej rreth 48 milionë lekësh, ku ndikimin kryesor e kanë dhënë karburantet, me rreth 126 milionë lekë më shumë.
Të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me rreth 108 milionë lekë, të ndikuara kryesisht nga performanca e karburantit të importit, me rreth 619 milionë lekë më shumë, gazit me rreth 111 milionë lekë dhe veshjeve/tekstileve me rreth 107 milionë lekë.
Edhe renta minerare ka shënuar rritje, me rreth 51 milionë lekë, e ndikuar nga rritja e sasive të eksportuara të naftës bruto dhe mineraleve të tjera, respektivisht me rreth 7 milionë lekë dhe 44 milionë lekë.
Performanca e muajit korrik vjen në vijim të ecurisë së të ardhurave doganore gjatë vitit 2026, duke reflektuar kontributin e sektorëve dhe kategorive të ndryshme të mallrave në realizimin e të ardhurave.