Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 03 Gusht 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, znj. Anila Alliu, nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi që synon forcimin e koordinimit ndërinstitucional në kontrollin dhe monitorimin e procedurave të importit dhe eksportit të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.
Marrëveshja krijon kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve për shkëmbimin e informacionit, koordinimin e veprimeve dhe zbatimin e procedurave të kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, Administrata Doganore do të bashkëpunojë me Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it në verifikimin e dokumentacionit doganor, shkëmbimin e të dhënave, identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve të legjislacionit, si dhe në zhvillimin e kontrolleve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Bashkëpunimi parashikon gjithashtu përdorimin e kanaleve të sigurta për shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e mekanizmave të përbashkët për menaxhimin e riskut, organizimin e trajnimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kontribuuar në rritjen e efektivitetit të kontrolleve doganore dhe garantimin e zbatimit të legjislacionit.