Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 28 qershor 2026 – Në kuadër të projektit Hermes, të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), u zhvillua në Tiranë takimi rajonal me temë “Bashkëpunimi publik-privat dhe reagimet operacionale ndaj rreziqeve të sigurisë në dërgesat postare dhe postat e shpejta”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të administratave doganore dhe operatorëve postarë nga rajoni, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për identifikimin dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që mund të kryhen përmes këtyre kanaleve të transportit.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat aktuale që lidhen me sigurinë e dërgesave postare dhe atyre me postat e shpejta, si dhe roli i koordinimit ndërmjet autoriteteve doganore dhe operatorëve të sektorit në rritjen e efektivitetit të kontrolleve dhe menaxhimit të riskut.
Pjesëmarrësit prezantuan përvojat dhe rezultatet e tyre operative, duke u fokusuar te metodat e kontrollit, identifikimi i dërgesave të dyshimta, shkëmbimi i informacionit dhe procedurat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe operatorëve privatë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të mekanizmave të referimit të rasteve të dyshimta, përdorimit të pajisjeve të kontrollit, si dhe nevojave për trajnim dhe ngritje të mëtejshme të kapaciteteve profesionale të institucioneve dhe operatorëve të përfshirë.
Takimi përfundoi me diskutime mbi hapat e mëtejshëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e përgjigjes së koordinuar ndaj rreziqeve që lidhen me përdorimin e kanaleve postare për transportin e mallrave të paligjshme.
Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërinstitucional, si dhe në përdorimin e metodave moderne të kontrollit dhe analizës së riskut për garantimin e sigurisë së zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit.