Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 24 qershor 2026 – Në Tiranë u zhvillua takimi rajonal me temë “Verifikimi i përdoruesit përfundimtar dhe zbatimi i kontrolleve ‘Catch-All’”, organizuar në kuadër të programit të Bashkimit Europian EU P2P Export Control Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Shqipëria, Armenia, Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina.
Aktiviteti mblodhi ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për kontrollin e eksporteve, me fokus forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe rajonale për parandalimin e transferimit të paautorizuar të mallrave dhe teknologjive sensitive.
Gjatë sesioneve të punës u diskutuan sfidat e sigurisë në mjedisin aktual ndërkombëtar, veçanërisht rreziqet që lidhen me përdorimin e mallrave me përdorim të dyfishtë (dual-use goods) për qëllime ushtarake. Një vëmendje e veçantë iu kushtua procedurave të verifikimit të përdoruesit përfundimtar, si një element kyç për garantimin e tregtisë së ligjshme dhe parandalimin e devijimit të mallrave drejt përdorimeve të padëshiruara.
Ekspertët e programit EU P2P prezantuan praktikat më të mira europiane për zbatimin e kontrolleve “Catch-All”, një mekanizëm që u mundëson autoriteteve kompetente të vendosin kufizime shtesë për eksportin e mallrave që mund të paraqesin rrezik për sigurinë, edhe kur ato nuk përfshihen në listat standarde të kontrollit.
Dogana Shqiptare mori pjesë aktive në diskutimet teknike, duke ndarë përvojën e saj në zbatimin e legjislacionit për kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.
Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e efektivitetit të sistemeve të kontrollit të eksporteve.