Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 08.06.2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në takimin përgatitor të Operacionit “LYNX”, zhvilluar në Bukuresht, Rumani, nën koordinimin e Organizatës Botërore të Doganave, në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganore të Mbretërisë së Bashkuar, HMRC dhe Zyrën Rajonale të Ndërlidhjes së Inteligjencës për Europën Lindore dhe Qendrore RILO ECE.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të administratave doganore nga vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të produkteve të duhanit dhe formave të tjera të kontrabandës ndërkufitare.
Gjatë sesioneve të punës, pjesëmarrësit shkëmbyen informacione mbi tendencat më të fundit të kontrabandës, analizuan raste konkrete operacionale dhe diskutuan mekanizmat e koordinimit për zbatimin e operacioneve të përbashkëta. Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua përdorimit të platformave të inteligjencës dhe shkëmbimit të informacionit të Organizatës Botërore të Doganave, përfshirë sistemet CEN dhe CENcomm.
Në kuadër të prezantimeve kombëtare, Dogana Shqiptare paraqiti sfidat e Drejtorisë së Antikontrabandës, duke vënë në fokus monitorimin e vazhdueshëm 24/7, përdorimin e teknologjive moderne të kontrollit, si dhe bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë prezantimit u evidentua roli i sistemit ASYCUDA në menaxhimin e riskut, përdorimi i skanerëve në pikat doganore tokësore, detare dhe ajrore, si dhe mekanizmat e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, përmes rrjeteve ndërkombëtare të inteligjencës. Po ashtu, u prezantua një rast konkret i goditjes së kontrabandës në Portin e Durrësit, i cili ilustroi efektivitetin e koordinimit operacional dhe të analizës së riskut në identifikimin dhe sekuestrimin e mallrave të falsifikuara.
Pjesëmarrja në Operacionin “LYNX” konfirmon angazhimin e Doganës Shqiptare për të kontribuuar aktivisht në nismat ndërkombëtare kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, si dhe për të forcuar më tej kapacitetet operacionale përmes shkëmbimit të eksperiencave, praktikave më të mira dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Administrata Doganore Shqiptare mbetet e përkushtuar në përdorimin e analizës së riskut, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e interesave fiskale të vendit, sigurisë së kufijve dhe tregtisë së ligjshme.