Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 06.06.2026 - Përfaqësues të Doganës Shqiptare morën pjesë në takimin e organizuar nga Organizata Botërore e Doganave në Bruksel, në kuadër të zhvillimit të Operacionit Demeter, një nismë ndërkombëtare e fokusuar në forcimin e kontrolleve dhe bashkëpunimit kundër trafikimit të paligjshëm të mbetjeve dhe substancave që paraqesin rrezik për mjedisin.
Takimi mblodhi së bashku administrata doganore nga vende të ndryshme, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të specializuar, përfshirë OLAF, Europol, RILO, UNEP dhe IMPEL, me qëllim shkëmbimin e përvojave, analizimin e tendencave aktuale të trafikimit të paligjshëm dhe koordinimin e veprimeve për periudhën në vijim.
Gjatë tre ditëve të aktivitetit u trajtuan çështje që lidhen me kontrollin e lëvizjes ndërkufitare të mbetjeve, substancave të kontrolluara sipas Protokollit të Montrealit, gazrave fluoruar (F-gases), menaxhimin e riskut, përdorimin e teknologjive të avancuara në zbatim, si dhe forcimin e integritetit të zinxhirit të furnizimit për mallrat me ndjeshmëri mjedisore.
Dogana Shqiptare prezantoi përvojën e saj në luftën kundër krimeve mjedisore, ku u ndal veçanërisht te kuadri institucional dhe ligjor, mekanizmat e analizës së riskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në kontrollin e mbetjeve të rrezikshme dhe substancave të kontrolluara.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të informacionit, koordinimit operacional dhe përdorimit të platformave të përbashkëta të inteligjencës doganore për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të trafikimit të paligjshëm që cenojnë mjedisin dhe sigurinë e zinxhirit tregtar.