Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 28.05.2026 – Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në trajnimin dyditor “Hetimi i pastrimit të parave përmes tregtisë ndërkombëtare”, zhvilluar në Tiranë në datat 28–29 maj 2026, në kuadër të projektit “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”, bashkëfinancuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshilli i Europës.
Aktiviteti u organizua nga Këshilli i Europës dhe mblodhi përfaqësues nga institucione kyçe ligjzbatuese dhe hetimore në vend, përfshirë Administratën Doganore Shqiptare, SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare.
Trajnimi kishte si qëllim forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në identifikimin dhe hetimin e rasteve të pastrimit të parave përmes tregtisë ndërkombëtare (Trade-Based Money Laundering), një nga format më komplekse të krimit financiar, që përdor transaksionet tregtare për të fshehur flukset financiare të paligjshme.
Gjatë sesioneve të zhvilluara nga ekspertë ndërkombëtarë të Këshillit të Europës dhe ekspertë kombëtarë, u trajtuan praktikat dhe tipologjitë më të zakonshme të TBML, si mbivlerësimi dhe nënvlerësimi i faturave, faturimet e shumëfishta, deklarimet e rreme të mallrave dhe përdorimi i kompanive fiktive në skema të pastrimit të parave.
Në këtë kuadër, u theksua roli i rëndësishëm i Administratës Doganore Shqiptare në parandalimin, identifikimin dhe goditjen e rasteve të dyshuara të pastrimit të parave përmes tregtisë. Përdorimi i të dhënave doganore, analizës së riskut dhe shkëmbimit të informacionit ndërinstitucional konsiderohet një element kyç në zbulimin e transaksioneve të dyshimta dhe forcimin e luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Punimet u fokusuan gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, përdorimin e inteligjencës financiare, ndjekjen e rrjedhës së parave, si dhe ndërtimin e strategjive hetimore për raste komplekse të pastrimit të parave përmes tregtisë.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në aktivitete të tilla kontribuon në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave doganore dhe në përafrimin e praktikave kombëtare me standardet ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.