Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 28.05.2026 – Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në forumin ndërkombëtar mbi praktikat më të mira në digjitalizimin e procedurave doganore “Best Practices and Lessons Learned on Digitalization Initiatives”, organizuar në 27–28 maj 2026 në selinë e Organizatës Botërore të Doganave në Bruksel.
Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të administratave doganore, ekspertë të teknologjisë dhe partnerë ndërkombëtarë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira dhe eksperiencave mbi reformat dhe modernizimin e procedurave doganore përmes digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve.
Gjatë takimit u diskutua mbi strategjitë moderne të transformimit digjital në administratat doganore, përdorimin e analizës së avancuar të të dhënave në menaxhimin e riskut, si dhe mbi sfidat dhe praktikat më të mira për garantimin e një procesi të qëndrueshëm të digjitalizimit.
Në panelet tematike u prezantuan eksperienca nga administrata doganore dhe institucione ndërkombëtare, me fokus në modernizimin e sistemeve doganore, automatizimin e procedurave dhe përdorimin e teknologjive inovative në lehtësimin e tregtisë.
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin edhe çështjet që lidhen me menaxhimin e sigurt të të dhënave digjitale, integritetin dhe sigurinë e informacionit, si dhe roli i partneriteteve publiko-private në përshpejtimin e proceseve të transformimit digjital.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë aktivitet konfirmon angazhimin e institucionit për avancimin e proceseve të digjitalizimit, rritjen e efikasitetit operacional, forcimin e transparencës dhe harmonizimin me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën doganore.