Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 15.05.2026 - Ka hyrë në fuqi udhëzimi për zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili përcakton procedurat dhe afatet për subjektet debitore që përfitojnë nga falja e detyrimeve.
Në kuadër të këtij procesi, administrata doganore do të vijojë evidentimin dhe trajtimin e detyrimeve të papaguara sipas periudhave përkatëse, duke u krijuar subjekteve mundësinë për të përfituar nga fshirja ose shuarja e një pjese të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave.
Sipas përcaktimeve të udhëzimit:
Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave përkatëse.
Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, subjektet mund të zgjedhin ndërmjet dy alternativave:
• pagesën e 50% të principalit brenda datës 30 qershor 2026, duke përfituar faljen e pjesës tjetër të detyrimit dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave;
ose
• pagesën e 75% të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.
Për detyrimet e periudhës 2020–2024, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat në rast se paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda datës 31 dhjetor 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton të gjitha subjektet debitore të paraqiten pranë degëve doganore përkatëse për të verifikuar situatën e tyre financiare, për të kuptuar nëse përfshihen në dispozitat e ligjit dhe për të vijuar procedurat administrative përkatëse.
Zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet procedurave lehtësuese të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.