Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 04.05.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, u takua me përfaqësues të agjencive doganore në Degët Doganore Tiranë dhe Durrës, në kuadër të një serie bashkëbisedimesh me komunitetin e biznesit dhe aktorët kryesorë të procesit doganor. Gjatë bashkëbisedimit, u theksua rëndësia e rolit që agjentët doganorë luajnë si një hallkë ndërmjetëse mes operatorëve ekonomikë dhe administratës doganore.
Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe periodik me agjentët doganorë është thelbësor për garantimin e një zbatimi sa më korrekt të legjislacionit doganor. “Niveli i profesionalizmit tuaj reflekton jo vetëm tek subjektet që përfaqësoni, por edhe në performancën e sistemit doganor në tërësi. Për këtë arsye, kërkohet përgjegjshmëri maksimale në çdo hallkë të procesit,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, z. Beja ndaloi veçanërisht te nevoja për respektimin rigoroz të procedurave doganore. “Qëllimi ynë është rritja e ndërgjegjësimit, si nga ana juaj ashtu edhe nga strukturat tona, për të garantuar një proces deklarimi sa më të saktë dhe transparent,” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm, duke shtuar se shmangia e gabimeve dhe neglizhencave është thelbësore për mbrojtjen e interesave financiare të operatorëve ekonomikë dhe për ruajtjen e integritetit të sistemit.
Në vijim, ai vuri theksin edhe tek sfidat që lidhen me procesin e integrimit europian, duke theksuar se administrata doganore është e angazhuar në një proces intensiv përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë marrin zhvillimi i sistemeve IT dhe përmirësimi i kapaciteteve njerëzore, ku bashkëpunimi me strukturat homologe europiane dhe përshtatja me praktikat më të mira mbetet një prioritet.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e agjencive doganore vlerësuan rëndësinë e këtyre takimeve, si një platformë e hapur komunikimi dhe shkëmbimi, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë, trajnime të vazhdueshme dhe qartësi në zbatimin e procedurave. Ata shprehën gatishmërinë për të rritur nivelin e përgjegjshmërisë dhe për të kontribuuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit në proceset doganore.
Takimet në Tiranë dhe Durrës konfirmojnë angazhimin e Administratës Doganore për të forcuar partneritetin me agjentët doganorë, me synim rritjen e standardeve profesionale, përmirësimin e performancës dhe garantimin e një sistemi doganor më efikas, transparent dhe në përputhje me kërkesat e integrimit europian.