Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 23.04.2026 - Më 21–22 prill 2026, në Chisinau, Moldavi, u zhvillua takimi i grupeve të punës të CEFTA-s (Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore) për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO) dhe menaxhimin e riskut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratave doganore të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Diskutimet u fokusuan në ecurinë e programeve AEO dhe zbatimin e strategjive të menaxhimit të riskut, duke nxjerrë në pah sfidat dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm. Një vëmendje e veçantë iu kushtua koordinimit mes këtyre dy komponentëve, me theks te rëndësia e një qasjeje të integruar për rritjen e efikasitetit të kontrolleve dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.
Në sesionet e dedikuara, u trajtuan çështje që lidhen me rritjen e vlerës së statusit AEO, matjen konkrete të përfitimeve për bizneset, si dhe praktikat më të mira për reduktimin e riskut. Paralelisht, diskutimet mbi menaxhimin e riskut u përqendruan në përdorimin e të dhënave tregtare, mekanizmat e feedback-ut dhe përfshirjen e institucioneve të tjera, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, u theksua roli i teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale, automatizimi dhe pajisjet e kontrollit, në modernizimin e proceseve doganore.
Në vijim të aktivitetit, pjesëmarrësit zhvilluan një vizitë studimore në pikën e kalimit kufitar Albita-Leuseni, ku u njohën nga afër me modelin e kontrolleve të koordinuara dhe zbatimin praktik të masave lehtësuese për operatorët AEO, si dhe me bashkëpunimin ndërinstitucional në terren.
Programi i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar mbetet një ndër prioritetet kryesore të Administratës Doganore Shqiptare në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së besueshmërisë së bizneseve. Deri më tani, këtë status e kanë përfituar 18 kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm të tregut, ndërkohë që 13 të tjera janë në proces aplikimi.