Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 15.04.2026 - Administrata Doganore Shqiptare vlerësoi një prej figurave më të spikatura të saj, z. Niko Çili, i cili shënoi plot 40 vite shërbim të përkushtuar në këtë institucion.
Karriera e tij, e nisur në vitin 1986 në Administratën Doganore Shqiptare, përkon me disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Doganës Shqiptare. Nga angazhimet e hershme në degën Doganore të Rinasit, tek pjesëmarrja në delegacionin shqiptar në Organizatën Botërore të Doganave në vitin 1993, e deri te kontributi në periudha kyçe si miratimi i Kodit Doganor të vitit 1999, e më tej ai i përafruar me legjislacionin e BE në vitin 2014, rrugëtimi i tij profesional përbën një dëshmi të drejtpërdrejtë të zhvillimit të institucionit ndër vite.
Prej 26 vitesh, z. Çili ka ushtruar detyrën e këshilltarit të Drejtorit të Përgjithshëm, duke shërbyer me përkushtim pranë të gjithë drejtuesve të institucionit në këtë periudhë. Me profesionalizëm, integritet dhe një përvojë të rrallë, ai ka qenë një pikë referimi, jo vetëm për drejtuesit, por edhe për të gjithë Administratën Doganore.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm, z. Besmir Beja, vlerësoi këtë rrugëtim të gjatë dhe kontributin e vyer të z. Çili, duke theksuar se: “Është vërtet fat i madh që të shërbesh 40 vite me krenari, pastërti, modesti dhe mendjen gjithmonë plot për drejtorët e përgjithshëm, por sigurisht edhe për stafin e administratës. Ky është modeli i nëpunësit publik që i duhet vendit dhe çdo institucioni.”
Nga ana e tij, z. Çili ndau disa prej kujtimeve dhe reflektimeve të një karriere të gjatë në shërbim të shtetit, duke theksuar se për të, roli i këshilltarit ka qenë një mundësi për t’i shërbyer jo vetëm drejtuesve, por të gjithë Administratës Doganore. Ai u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin ndër vite me të gjithë drejtuesit dhe kolegët, duke nënvizuar se ky rrugëtim ka qenë një përpjekje e përbashkët për të çuar përpara sistemin doganor.