Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 09.04.2026 - Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes firmosën sot një marrëveshje bashkëpunimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së koordinimit në ushtrimin e funksioneve përkatëse.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, Dorian Tola, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një instrument konkret për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e mekanizmave të bashkërendimit ndërmjet institucioneve.
Marrëveshja synon përcaktimin e një kuadri të qartë bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve në funksion të zbatimit të legjislacionit në fuqi që lidhet me importin e mallrave të përjashtuara nga taksat doganore, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak. Në këtë kuadër, parashikohet forcimi i shkëmbimit të informacionit, si dhe koordinimi i veprimeve për identifikimin, verifikimin dhe kontrollin e këtyre mallrave, në përputhje me kompetencat ligjore të secilës palë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një angazhim të përbashkët për rritjen e standardeve institucionale, forcimin e bashkëpunimit dhe garantimin e një administrimi më efektiv dhe të përgjegjshëm në fusha me rëndësi të veçantë.