Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 04.04.2024 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë pune në Degën Doganore të Kakavijës, në kuadër të monitorimit të drejtpërdrejtë të funksionimit të strukturave në terren dhe forcimit të mëtejshëm të standardeve të shërbimit.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm u njoh nga afër me ecurinë e procedurave doganore, menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe mallrave, si dhe masat e marra për garantimin e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes në këtë pikë të rëndësishme kufitare. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së efikasitetit operacional dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe biznesit.
Në takimet me stafin, u diskutua mbi sfidat konkrete të përditshme, si dhe mbi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të parandalimit të paligjshmërive dhe rritjes së transparencës.
Drejtori Beja vlerësoi angazhimin e punonjësve të Degës Doganore të Kakavijës, duke i inkurajuar ata të vijojnë punën me përkushtim dhe profesionalizëm, në përmbushje të misionit të Administratës Doganore për garantimin e një sistemi modern, të sigurt dhe të besueshëm.