Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 03.04.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një vizitë pune në Doganën e Vlorës, në kuadër të monitorimit në terren të funksionimit të strukturave doganore dhe forcimit të standardeve të shërbimit.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm u njoh nga afër me ecurinë e proceseve operacionale, menaxhimin e flukseve dhe zbatimin e procedurave doganore në këtë pikë të rëndësishme për aktivitetin ekonomik dhe tregtar në jug të vendit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të Doganës në garantimin e sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë.
Në vijim të agjendës, u zhvillua një vizitë në zonën e Petroliferës së Vlorës, ku Drejtori i Përgjithshëm u informua mbi mënyrën e operimit, kontrollin e produkteve energjetike dhe masat e ndërmarra për të parandaluar evazionin dhe abuzimet në këtë sektor me rëndësi strategjike. U theksua rëndësia e forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe përdorimit të teknologjisë për monitorim më efikas të aktivitetit.
Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik, gjatë vizitës u diskutuan edhe masat e posaçme që ndërmerren çdo vit në Vlorë për përballimin e flukseve të shtuara të udhëtarëve dhe mallrave. U theksua rëndësia e rritjes së kapaciteteve operacionale, optimizimit të procedurave dhe garantimit të një shërbimi të shpejtë dhe cilësor, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kontrollit dhe sigurisë. Në këtë drejtim, u kërkua angazhim maksimal nga strukturat vendore për koordinim të ngushtë dhe reagim në kohë ndaj çdo situate që mund të lindë gjatë periudhës së pikut turistik.
Gjatë takimit me stafin e administratës doganore vendore, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në përmbushjen e detyrave, duke nënvizuar se puna në terren mbetet thelbësore për arritjen e objektivave institucionale. Ai theksoi nevojën për vijimësi në zbatimin korrekt të procedurave, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e mëtejshëm të komunikimit me biznesin.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integritetit, përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit brenda strukturave, si elementë kyç për forcimin e besimit publik dhe rritjen e performancës së administratës doganore. Ai inkurajoi stafin të vijojë me të njëjtin përkushtim, duke kontribuar në modernizimin dhe transformimin e mëtejshëm të shërbimit doganor.