Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 19.03.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim pune me drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, AmCham.
Gjatë takimit, u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë, si një nga aktorët kryesorë në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit amerikan në Shqipëri. Palët vlerësuan rëndësinë e këtij partneriteti në adresimin e çështjeve konkrete të biznesit, si dhe në ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm dhe konstruktiv.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte organizimi i forumit të ardhshëm të biznesit mes Administratës Doganore dhe AmCham, i planifikuar për muajin qershor, i cili pritet të shërbejë si një platformë e hapur komunikimi ku përfaqësuesit e biznesit do të kenë mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt problematikat dhe sfidat që hasin në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Drejtori Ekzekutiv i AmCham, Neritan Mullaj, nënvizoi se bashkëpunimi i deritanishëm me Administratën Doganore ka sjellë rezultate konkrete dhe është reflektuar në vlerësimet pozitive të anëtarëve të komunitetit të biznesit.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Beja, theksoi domosdoshmërinë e garantimit të konkurrencës së ndershme, luftës ndaj informalitetit dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik të vendit, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që luan bashkëpunimi me organizatat e biznesit në përmirësimin e vazhdueshëm të procedurave dhe shërbimeve doganore.
Ndërsa znj. Alketa Uruçi, në cilësinë e kryetares së Komitetit për Taksat dhe Doganat pranë AmCham, solli në vëmendje disa nga çështjet kryesore të adresuara nga anëtarët e kësaj dhome, duke theksuar nevojën për vijimin e bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe efikase.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri mbeten të angazhuara për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, me fokus në adresimin konkret të nevojave të biznesit, lehtësimin e procedurave dhe rritjen e transparencës. Ky partneritet synon gjithashtu të nxisë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të mbështesë përafrimin e mëtejshëm të praktikave doganore me standardet ndërkombëtare.