Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 17.03.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, u takua sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu. Në fokus të diskutimeve ishte roli kyç i Administratës Doganore në garantimin e përpunimit sa më të shpejtë, të sigurt dhe transparent të mallrave, përmes përmirësimit të procedurave dhe rritjes së efikasitetit operacional.
Palët ndanë vlerësime pozitive mbi bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional, duke theksuar se koordinimi i qëndrueshëm ka ndikuar në përmirësimin e performancës operacionale në Portin e Durrësit. Në këtë kuadër, u nënvizua nevoja për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përballimit të flukseve në rritje të përpunimit të mallrave.
Diskutimet u përqendruan në avancimin e proceseve doganore, përmes përmirësimit të procedurave në hyrje dhe dalje të mallrave, si dhe në optimizimin e kohës së përpunimit të kontejnerëve. Një theks i veçantë iu kushtua forcimit të analizës së riskut, me qëllim orientimin më të saktë të kontrolleve drejt ngarkesave me risk të lartë, duke mundësuar njëkohësisht lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomikë të besueshëm.
Gjithashtu, u evidentua rëndësia e zgjerimit të përdorimit të sistemeve të digjitalizuara dhe rritjes së shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve, në funksion të përpunimit paraprak të informacionit mbi ngarkesat. Kjo qasje synon jo vetëm reduktimin e kohës së pritjes dhe të barrës administrative për biznesin, por edhe rritjen e transparencës dhe sigurisë në zinxhirin logjistik.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Beja, theksoi se, “Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar për të garantuar një balancë të qëndrueshme mes lehtësimit të tregtisë dhe forcimit të kontrollit. Përmes digjitalizimit të proceseve, rritjes së shkëmbimit të informacionit dhe përmirësimit të analizës së riskut, synojmë të reduktojmë kohën e përpunimit dhe të rrisim cilësinë e shërbimit ndaj biznesit.”
Nga ana e tij, z. Aliu nënvizoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë institucional, duke u shprehur se: “Synimi ynë i përbashkët është ofrimi i shërbimeve sa më efikase për operatorët ekonomikë, duke reduktuar kohën e përpunimit dhe duke rritur transparencën në çdo hallkë të zinxhirit logjistik.”
Në përfundim, palët riafirmuan angazhimin për të vijuar punën e përbashkët në drejtim të digjitalizimit të proceseve, rritjes së ndërveprimit ndërinstitucional dhe zbatimit të praktikave bashkëkohore, me qëllim rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe konkurrueshmërisë së shërbimeve doganore në Portin e Durrësit, në përputhje me standardet europiane.