Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 14.03.2026 - Delegacioni i ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor në Komisionin Europian, DG TAXUD, përmbylli vizitën monitoruese disa ditore në Administratën Doganore Shqiptare. Takimi përmbyllës u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ku ekspertët europianë ndanë konkluzionet paraprake të misionit monitorues me drejtuesit e Administratës Doganore Shqiptare. Gjatë këtij takimi u reflektua mbi diskutimet dhe vëzhgimet e realizuara gjatë gjithë javës, si në nivel strategjik ashtu edhe në aspektin operacional të funksionimit të shërbimit doganor.
Në fjalën e saj, përgjegjësja e ekipit të ekspertëve të DG TAXUD, Verle Clearhout, vlerësoi bashkëpunimin dhe transparencën e treguar nga Administrata Doganore Shqiptare gjatë gjithë procesit të monitorimit. Ajo përgëzoi stafin doganor për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë prezantimeve dhe vizitave në terren, duke theksuar se kjo vizitë ofroi një pasqyrë të qartë mbi mënyrën e funksionimit të strukturave dhe procedurave doganore në Shqipëri. Gjithashtu, ajo nënvizoi rëndësinë e vijimit të reformave dhe të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve institucionale në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, falënderoi delegacionin e ekspertëve europianë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se Administrata Doganore Shqiptare mbetet plotësisht e angazhuar për të vijuar reformat në drejtim të modernizimit, digjitalizimit dhe forcimit të integritetit institucional. Ai u shpreh i gatshëm për të mirëpritur çdo sugjerim dhe rekomandim që do të dalë nga kjo vizitë monitoruese, si një mundësi e vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve dhe përgatitjen e sistemit doganor shqiptar për sfidat e integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë kësaj jave, delegacioni i ekspertëve zhvilloi një sërë takimesh dhe vizitash në terren në struktura të ndryshme të administratës doganore, me qëllim vlerësimin nga afër të procedurave dhe praktikave të punës. Në këtë kuadër, ekspertët vizituan Laboratorin Doganor, Doganën e Tiranës, Aeroportin e Rinasit, Portin e Durrësit, si dhe pikat e kalimit kufitar Morinë dhe Qafë Thanë.
Gjatë vizitave në terren, ekspertët u njohën nga afër me proceset e zhdoganimit, menaxhimin e riskut dhe kontrollet doganore, përdorimin e sistemeve elektronike dhe pajisjeve të kontrollit, si dhe me bashkëpunimin ndërinstitucional në pika të ndryshme hyrëse dhe dalëse të vendit. Vizitat shërbyen gjithashtu si një mundësi për dialog të drejtpërdrejtë me specialistët e Administratës Doganore, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e praktikave më të mira në përputhje me standardet europiane.
Vizita monitoruese e ekspertëve të DG TAXUD përbën një hap të rëndësishëm në procesin e vlerësimit të kapaciteteve të Administratës Doganore Shqiptare dhe në forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.