Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 13. 03. 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Besmir Beja, zhvilloi një takim pune me Koordinatorin Ndërkombëtar të Projektit EU4LEA 2 (Bashkimi Europian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri), Z. Giovanni Pasqua, ku u diskutuan hapat e ardhshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet në kuadër të fazës së dytë të zbatimit të projektit.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e Doganës si një nga institucionet kyçe në detektimin fillestar të krimeve ndërkufitare, si dhe roli i saj në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Besmir Beja, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të projektit EU4LEA në forcimin e kapaciteteve të Administratës Doganore.
“Bashkëpunimi me projektin EU4LEA ka qenë një mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve tona, veçanërisht në fushën e analizës së riskut dhe përdorimit të teknologjive të avancuara. Përmes këtij partneriteti synojmë të rrisim më tej efikasitetin në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare,” u shpreh Z. Beja.
Nga ana e tij, Koordinatori Ndërkombëtar i Projektit EU4LEA 2, Z. Giovanni Pasqua, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Administratën Doganore shqiptare në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e mekanizmave të luftës kundër krimit të organizuar.
“Dogana shqiptare është një partner i rëndësishëm në zinxhirin e institucioneve të zbatimit të ligjit. Përmes EU4LEA 2 synojmë të mbështesim më tej zhvillimin e kapaciteteve analitike dhe teknologjike, duke kontribuar në rritjen e efektivitetit të institucioneve në përballjen me sfidat e reja të kriminalitetit,” u shpreh Z. Pasqua.
Gjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e përdorimit të softuerëve të analizës së të dhënave dhe zhvillimin e mëtejshëm të analizës së riskut, në kuadër të forcimit të kapaciteteve teknologjike të Administratës Doganore. Në fokus ishte edhe ndikimi i teknologjive të reja, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në aktivitetet kriminale, si dhe nevoja për zhvillimin e instrumenteve analitike për t’i adresuar këto sfida në mënyrë më efektive.
Takimi trajtoi gjithashtu mundësinë e krijimit të mekanizmave të bashkëpunimit në nivel rajonal, përfshirë ngritjen e grupeve të punës, zhvillimin e platformave online për kërkesa asistence dhe mbështetje teknike, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe analizave ndërmjet institucioneve partnere.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është një nga institucionet përfituese të projektit “The European Union for Law Enforcement in Albania – Phase 2 (EU4LEA 2)”, një program katërvjeçar i financuar nga Komisioni Europian dhe bashkëfinancuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Projekti mbështet institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në forcimin e kapaciteteve kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar.