Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tirane me 09.03.2026: Delegacioni i ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor në Komisionin Europian, DG TAXUD, nisi sot në Tiranë vizitën monitoruese, e cila do të zhvillohet gjatë datave 9–13 mars dhe ka në fokus vlerësimin e kapaciteteve të Administratës Doganore Shqiptare në funksion të procesit të integrimit europian. Takimi i parë u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ku ekspertët europianë dhe drejtuesit e Administratës Doganore Shqiptare diskutuan në mënyrë të detajuar mbi organizimin dhe funksionimin e shërbimit doganor, prioritetet strategjike dhe reformat në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite monitoruese si një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe për të identifikuar hapat e mëtejshëm në procesin e përafrimit me standardet europiane. Ai theksoi se Administrata Doganore Shqiptare është e angazhuar për të vijuar reformat në drejtim të modernizimit, digjitalizimit dhe forcimit të integritetit institucional, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë me ekspertët e DG TAXUD mbetet thelbësor për rritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen e sistemit doganor për sfidat e ardhshme të integrimit në Bashkimin Europian.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua performancës së shërbimit doganor dhe mekanizmave për parandalimin e korrupsionit, ku u prezantuan politikat dhe strukturat për matjen e performancës institucionale, masat për rritjen e transparencës dhe aksesueshmërisë së shërbimeve për qytetarët dhe biznesin, si dhe praktikat për forcimin e integritetit në administratë.
Ekspertët europianë u njohën gjithashtu me nivelin aktual të digjitalizimit të proceseve doganore dhe projektet në zhvillim që synojnë modernizimin e mëtejshëm të sistemeve elektronike, në përputhje me kërkesat e ardhshme të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, u diskutua mbi avancimin e shërbimeve digjitale, ndërveprimin e sistemeve dhe planet për implementimin e projekteve të reja teknologjike.
Diskutimet përfshinë gjithashtu bashkëpunimin e Doganave me institucione të tjera shtetërore dhe me operatorët ekonomikë, duke vënë theksin te lehtësimi i tregtisë, komunikimi institucional dhe partneriteti me biznesin për një tregti të sigurt dhe efikase.
Vizita monitoruese do të vijojë gjatë ditëve në vijim me takime dhe vizita në struktura të ndryshme doganore në vend, përfshirë laboratorin doganor, Portin e Durrësit, aeroportin dhe pika të tjera kufitare, me qëllim vlerësimin në terren të funksionimit të procedurave dhe kapaciteteve të administratës doganore shqiptare.