Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, u priti në një takim nga Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Sh.T. Marco Alberti.
Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe në rolin e administratave doganore në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe pasagjerëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Beja, vlerësoi partneritetin e ngushtë me autoritetet italiane dhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për institucionet shqiptare. “Italia mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë. Bashkëpunimi mes administratave tona doganore ka njohur zhvillime të rëndësishme vitet e fundit dhe synojmë ta thellojmë më tej, veçanërisht në drejtim të modernizimit të proceseve dhe forcimit të kontrolleve kundër trafiqeve të paligjshme,” u shpreh ai.
Nga ana e tij, ambasadori Alberti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën doganore dhe të sigurisë kufitare, duke nënvizuar se Italia mbështet përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e institucioneve dhe avancimin në rrugën drejt integrimit europian.
Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu mbi projekte të reja të përbashkëta mes administratave doganore të dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin me Guardia di Finanza, si dhe për rinovimin e Planit të Veprimit që synon të thellojë bashkëpunimin operacional dhe institucional mes dy anëve të Adriatikut.