Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 03 Mars 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, prezantoi sot përpara stafit të Degës Doganore Fier, kryetarin e ri të kësaj dege, z. Eridjol Xhafa.
Gjatë takimit me administratën, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi z. Kosta Vjero për kontributin dhe punën e tij në drejtimin e Degës Doganore Fier, duke vlerësuar përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.
Në prezantimin e drejtuesit të ri, z. Beja theksoi se Eridjol Xhafa merr detyrën në një moment që kërkon vijimësi në arritjet e deritanishme, por edhe një qasje të vendosur për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të punës, forcimin e kontrollit dhe rritjen e performancës administrative.
Ai nënvizoi se Dega Doganore Fier ka një rol të rëndësishëm në mbledhjen e të ardhurave dhe në garantimin e zbatimit korrekt të legjislacionit doganor, duke kërkuar nga stafi profesionalizëm të lartë, integritet dhe bashkëpunim të ngushtë në funksion të objektivave të institucionit.
“Çdo strukturë doganore duhet të reflektojë standarde të qarta ligjshmërie, transparence dhe përgjegjshmërie. Vetëm përmes një pune të koordinuar dhe të bazuar në meritë mund të rrisim besimin e biznesit dhe qytetarëve ndaj administratës sonë”, u shpreh z. Beja.
Në përfundim, ai i uroi suksese kryetarit të ri në përmbushjen e detyrës, duke theksuar se mbështetja institucionale do të jetë e plotë për realizimin e prioriteteve dhe forcimin e mëtejshëm të rolit të Degës Doganore Fier.