Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 25 Shkurt 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Znj. Blerina Gjylameti, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efikasitetit të kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.
Në fokus të diskutimeve ishte thellimi i koordinimit operacional ndërmjet strukturave të Doganës dhe inspektorëve të AKU-së, me synim konsolidimin e kontrolleve të përbashkëta dhe rritjen e kapaciteteve parandaluese ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave theksoi domosdoshmërinë e harmonizimit të indikatorëve të riskut dhe integrimit të analizës së riskut në proceset e përzgjedhjes për kontroll, në mënyrë që ndërhyrjet të jenë të targetuara, proporcionale dhe të bazuara në inteligjencë operative. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit sistematik të informacionit në kohë reale për ngarkesat që paraqesin sinjalizime apo profile risku, duke rritur kështu nivelin e monitorimit dhe gjurmueshmërisë.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së vlerësoi rolin kyç të pranisë së inspektorëve në degët doganore, si një hallkë thelbësore në garantimin e zinxhirit të sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore. Ajo bëri të ditur se do të vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse në pikat doganore, përfshirë magazinat dhe ambientet frigoriferike, me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ligjore dhe teknike.
Të dy drejtuesit vlerësuan sigurinë ushqimore si një prioritet strategjik, duke theksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi i standardeve të sigurisë në import mbeten objektiva parësore të bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër, u dakordësua intensifikimi i mekanizmave të koordinimit dhe ngritja e praktikave të përbashkëta të kontrollit, veçanërisht në degët doganore kufitare.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe agjencitë përgjegjëse, në funksion të garantimit të sigurisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik.