Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Sot në Portin e Durrësit nisi trajnimi “Kontrolli i anijeve tregtare”, i organizuar me asistencën e Doganeve Franceze. Trajnimi zhvillohet në selinë e Komandës së Guardia di Finanza dhe synon rritjen e aftësive profesionale në fushën e kontrollit dhe inspektimit të anijeve tregtare, përmes një programi të kombinuar teorik dhe praktik.
Në ceremoninë e hapjes së trajnimit ishin të pranishëm Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Ilia Bili, Atasheu Doganor Francez, Z. Benjamin Offray, përfaqësues të Ambasadës Franceze, si dhe drejtues dhe komandantë të Guardia di Finanza-s. Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe partnereve ndërkombëtarë për forcimin e kontrolleve detare dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira në këtë fushë.
Në fjalën e tij, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Z. Ilia Bili, vlerësoi rëndësinë e këtij trajnimi për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e standardeve të kontrollit detar, duke theksuar se bashkëpunimi me partnerët francezë përbën një element kyç në modernizimin e praktikave doganore dhe rritjen e sigurisë në porte, “duke qenë se pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të vendit realizohet përmes porteve detare, çka e bën forcimin e kontrolleve në këtë sektor një prioritet strategjik për Administratën Doganore”.
Nga ana e tij, Zv/Atasheu Doganor Francez, Z. Benjamin Offroy, nënvizoi angazhimin e palës franceze për të mbështetur autoritetet shqiptare përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe përvojës praktike, duke e cilësuar këtë trajnim si një shembull konkret të bashkëpunimit efektiv ndërmjet dy vendeve në fushën e kontrollit detar.
Trajnimi do të zgjasë pesë ditë dhe do të përfshijë sesione mbi strukturën e anijeve tregtare, standardet e sigurisë, menaxhimin e kontrolleve, si dhe ushtrime praktike në terren.