Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në kuadër të forcimit të dialogut të brendshëm institucional dhe përgatitjes së Administratës Doganore Shqiptare për procesin e integrimit evropian, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, zhvilloi sot takime pune me punonjësit e Degës Doganore Tiranë, Degës Doganore Rinas dhe Degës Doganore Durrës.
Gjatë këtyre takimeve, Drejtori i Përgjithshëm u ndal në rëndësinë historike që shënoi viti 2025 për Shqipërinë dhe veçanërisht për Administratën Doganore, me hapjen e negociatave për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, si dhe kapitujt e tjerë ku përfshihet ADSH.
“Ne, si pjesë e Doganave Shqiptare, kemi një rol kyç dhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë në procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kontributi ynë është thelbësor për realizimin e këtij objektivi kombëtar”, u shpreh z. Gazheli gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se doganat luajnë një rol të veçantë në mbrojtjen e interesave fiskale dhe ekonomike, garantimin e sigurisë, si dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe pasagjerëve, duke pasur parasysh se territori i Republikës së Shqipërisë do të përbëjë kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian.
Drejtori i Përgjithshëm informoi gjithashtu mbi hapat konkretë të ndërmarrë nga Administrata Doganore në kuadër të reformave të lidhura me procesin e integrimit, përfshirë përafrimin e legjislacionit doganor me acquis të BE-së, miratimin e strategjive në fushën e burimeve njerëzore, biznesit dhe trajnimit doganor, si dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare të IT-së 2025–2030, e cila synon ndërveprimin e plotë me sistemet doganore të Bashkimit Evropian.
“Kemi një vizion të qartë për rrugën që duhet të ndjekë Administrata Doganore për t’u përafruar plotësisht me standardet e një dogane evropiane, në aspektin ligjor, institucional, profesional dhe teknologjik”, theksoi z. Gazheli.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua vizitës së pritshme në muajin mars të një ekipi vëzhgues të Komisionit Evropian, i cili do të realizojë një skanim të funksionimit të Administratës Doganore Shqiptare dhe takime të drejtpërdrejta me personelin doganor në degë.
Në vijim, u trajtuan edhe objektivat e Administratës Doganore lidhur me realizimin e planit të të ardhurave, performancën në proceset e zhdoganimit dhe angazhimin maksimal për përmbushjen e planit 2026.
“Realizimi i objektivave për vitin 2026 kërkon angazhim të përbashkët, miradministrim, menaxhim të bazuar në analizë risku dhe respektim rigoroz të rregullave të etikës në shërbimin doganor”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm.
Takimet u zhvilluan në një frymë bashkëpunimi dhe informimi, duke riafirmuar rolin pararendës të Administratës Doganore Shqiptare në procesin e integrimit evropian dhe rëndësinë e kontributit të çdo punonjësi doganor në realizimin e këtij misioni strategjik.