Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, zhvilloi sot një takim pune me ekipin e Bankës Botërore në kuadër të misionit përgatitor të projektit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project (TTFP) 2.0”, i cili po mbahet në Shqipëri nga data 2–5 dhjetor 2025.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit të deritanishëm dhe hapat e ardhshëm për përgatitjen e fazës së dytë të projektit, i cili synon përmirësimin e menaxhimit kufitar, lehtësimin e tregtisë dhe modernizimin e shërbimeve doganore. U vlerësua progresi i bërë deri tani, si dhe u shkëmbyen qëndrime mbi investimet prioritare që pritet të realizohen në kuadër të TTFP 2.0 dhe programeve të lidhura me të.
Drejtori i Përgjithshëm z. Gazheli e vuri theksin tek rëndësia strategjike e këtij projekti për modernizimin e tregtisë dhe forcimin e kapaciteteve të administratës doganore. Ai u shpreh se ky është një moment vendimtar për avancimin e reformave që e afrojnë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse na mundëson të avancojmë modernizimin e tregtisë, forcimin e menaxhimit kufitar dhe rritjen e përputhshmërisë me standardet europiane. Ne besojmë se faza e parë e projektit na ka dhënë mësime të vlefshme, të cilat duhet t’i përkthejmë në zbatim më efikas dhe pa vonesa në këtë fazë të re,” deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli.
Ai vlerësoi po ashtu kontributin e ekipeve të përbashkëta në ndërtimin e një plani të qartë për modernizimin e infrastrukturës doganore: “Vlerësojmë shumë bashkëpunimin e ngushtë me ekipin e Bankës Botërore dhe angazhimin e strukturave tona doganore. Vetëm në këtë frymë të përbashkët mund të ndërtojmë një administratë moderne, efikase dhe të besueshme, në shërbim të bizneseve dhe të proceseve integruese të vendit”.
Në takim morën pjesë drejtues të strukturave qendrore dhe rajonale të administratës doganore, të cilët sollën kontributin e tyre mbi ecurinë e proceseve dhe nevojat konkrete në terren. Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit dhe përgatitjen e një plani të qëndrueshëm pune, që synon përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, si dhe rritjen e efikasitetit të administratës doganore.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson këtë proces si një mundësi të rëndësishme për avancimin e reformave dhe për përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit kufitar dhe të lehtësimit të tregtisë në vend.