Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mori pjesë në Konferencën vjetore “Aleanca e Grave në Uniformë 2025”, një aktivitet i rëndësishëm i cili mbledh së bashku gra dhe vajza që shërbejnë në strukturat e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe administratës publike. Përfaqësueset e Doganës Shqiptare ishin pjesë aktive e punimeve të Konferencës, duke kontribuar me diskutime, përvoja dhe perspektiva profesionale mbi rolin dhe fuqizimin e grave në institucionet e uniformuara.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrëset u angazhuan në panele mbi lidershipin, integritetin, sfidat e profesionit, si dhe rëndësinë e ndërtimit të një mjedisi të barabartë dhe mbështetës për gratë në shërbim publik. U zhvilluan gjithashtu sesione të dedikuara trajnimi dhe rrjetëzimi, të cilat synojnë fuqizimin profesional të grave dhe vajzave në strukturat ligjzbatuese.
Përfaqësueset tona sollën shembuj konkretë të punës së përditshme në administratën doganore, përfshirë sfidat dhe arritjet në fushat e kontrollit kufitar, analizës së riskut, hetimit doganor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Pjesëmarrja e tyre theksoi angazhimin e Doganës Shqiptare për promovimin e diversitetit, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së rolit të grave në të gjitha nivelet e organizatës.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nismave që forcojnë pozitën e grave në institucione dhe në krijimin e mundësive të barabarta për zhvillim profesional, duke kontribuar në një administratë moderne, efikase dhe të drejtë.
Ky aktivitet vijon traditën e pjesëmarrjes së Doganës Shqiptare në Aleancën e Grave në Uniformë, një nismë që është shndërruar në platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe fuqizimi.