Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Sot, në ambientet e Rogner Hotel në Tiranë, u organizua forumi ndërkombëtar i programit “Tax Inspectors Without Borders (TIWB-CI)”, ku u trajtuan sfidat dhe strategjitë e reja për të forcuar integritetin fiskal dhe luftën kundër evazionit. Në këtë aktivitet, të mbështetur nga UNDP, OECD dhe SECO, morën pjesë përfaqësues të agjencive ligjzbatuese, ekspertë të huaj dhe drejtues të institucioneve tatimore dhe doganore.
Forumi u fokusua në rëndësinë kritike të bashkëpunimit ndërinstitucional për hetimin e krimit financiar dhe flukseve të paligjshme. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, në fjalën e tij theksoi:
“Evazioni fiskal nuk mund të luftohet i izoluar. Ai nis në doganë, vijon te tatimet dhe përfundon në pastrim parash. Prandaj, bashkëpunimi mes doganave, tatimeve dhe inteligjencës financiare është thelbësor për një hetim të plotë dhe efektiv.”
Ai vuri theksin tek sistemi doganor ASYCUDA World, i cili që nga viti 2002 është një burim kyç për regjistrimin e import-eksporteve dhe një shtyllë referimi për të dhënat e INSTAT. Përveç kësaj, Gazheli përmendi se falë bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Guardia di Finanza, inteligjenca ligjzbatuese shqiptare po fuqizohet në përpunimin e të dhënave dhe analizën e riskut, duke përdorur gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale.
Një tjetër moment i rëndësishëm i forumit ishte vlerësimi i strategjisë së përbashkët Doganë-Tatime në kuadër të bashkëpunimit me FMN dhe programin MTRS, që sipas Gazhelit ka çuar në rritje të qëndrueshme të të ardhurave, sidomos përmes menaxhimit të akcizës.
“Në 10-mujorin e vitit 2025 kemi tejkaluar 2 miliardë euro të ardhura, pavarësisht sfidave të kursit të këmbimit. Sot, Administrata Doganore është më digjitale, më e integruar dhe më e aftë për të reaguar shpejt ndaj evazionit,” – u shpreh ai.
Gjithashtu, përfaqësues të OECD dhe UNDP nënvizuan se Shqipëria po bën hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të kapaciteteve fiskale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke e vendosur vendin në një pozicion të fuqizuar në arkitekturën ndërkombëtare të transparencës financiare.