Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Strukturat inteligjente të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me degën e doganës në Rinas si dhe partnerët homologë të Doganës Shqiptare, pas një analize risku profesionale, përzgjodhën për kontroll fizik dy shtetas kinezë dhe valixhet e tyre. Shtetasit udhëtonin në itinerarin Bangkok, me tranzit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe destinacion final Aeroportin e Rinasit.
Këto katër valixhe iu nënshtruan kontrollit me skaner me rreze X, që përdor Dega e Doganës në Rinas. Imazhet e skanerit dedektuan substanca të dyshimta. Gjatë kontrollit fizik të valixheve, u zbulua e fshehur në qese me fruta ekzotike “Durian”, 61 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, të ndara në 120 qese. Nëse do të hidhej në treg, kjo sasi cannabis-i do të kapte vlerën rreth 500.000 euro.
Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, kryen veprimet proceduriale. Lënda narkotike u sekuestrua dhe shtetasit e huaj u arrestuan në flagrancë. Çështja iu kalua strukturave kompetente për hetim të mëtejshëm dhe për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.