Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit – Tetorit Rozë, Drejtoria e Doganave vijon të tregojë vëmendje të veçantë ndaj kujdesit për shëndetin e grave dhe vajzave që janë pjesë e institucionit.
Në këtë frymë, punonjëset e Drejtorisë iu nënshtruan sot kontrolleve parandaluese me eko dhe mamografi, të kryera në ambiente spitalore, si një hap i rëndësishëm për zbulimin në kohë dhe parandalimin e sëmundjeve të gjirit.
Ky veprim simbolik, por me vlerë të madhe, është shprehje e përkushtimit të institucionit për të mbështetur jo vetëm zhvillimin profesional, por edhe mirëqenien dhe shëndetin e stafit të vet.
Kujdesi për shëndetin e punonjëseve është pjesë e një vizioni më të gjerë që synon krijimin e një mjedisi pune të shëndetshëm, të ndërgjegjshëm dhe solidar.
Drejtoria e Doganave i bashkohet kështu mesazhit të Tetorit Rozë për ndërgjegjësim, kujdes dhe forcë, duke kujtuar se kontrolli i rregullt shëndetësor mbetet arma më e mirë në luftën kundër kancerit të gjirit.
Le të kujtojmë se kontrolli i rregullt dhe informimi janë hapat më të rëndësishëm për të mbrojtur shëndetin tonë.