Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Hagë, Tetor 2025 – Në kuadër të Presidencës Daneze, Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Sh.T. Ulf Melgaard, ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Genti Gazheli, për të marrë pjesë në Takimin Shumëpalësh të Doganave, me temën: “Transformimi i sistemeve të informacionit në motorë të inteligjencës për administratat doganore”.
Gjatë punimeve të takimit, z. Gazheli prezantoi përvojën e reformave që po zbatohen në Doganën Shqiptare, të cilat synojnë modernizimin e sistemeve të informacionit, rritjen e efikasitetit operacional dhe lehtësimin e tregtisë.
Në kuadër të aktivitetit, ai zhvilloi një bisedë të frytshme me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Daneze, z. Christian Lützen, si dhe shkëmbime përvoje me përfaqësues të administratave doganore evropiane, përfshirë Gjermaninë, Norvegjinë, Hungarinë dhe Holandën. Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe mundësitë që sjell dixhitalizimi, si dhe në rëndësinë e ndërtimit të sistemeve të avancuara të inteligjencës për administratat doganore.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i ideve mbeten thelbësore për ndërtimin e një administrate doganore moderne, transparente dhe të përafruar me standardet më të mira evropiane.
Administrata Doganore Shqiptare vijon të forcojë partneritetet me administratat homologe dhe institucionet ndërkombëtare, në mbështetje të procesit të integrimit evropian dhe modernizimit të shërbimeve doganore.