Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Z. Genti Gazheli organizoi një takim me Drejtorinë e Antikontrabandës, strukturën më të madhe ligjzbatuese të sistemit doganor.
Ky takim zhvillohet në vijim të serisë së takimeve që Drejtori i Përgjithshëm ndërmerr me strukturat drejtuese të DPD-së dhe me degët doganore, në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” / “Dogana 2030”. Qëllimi kryesor është përgatitja e Administratës Doganore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku dogana, për shkak të misionit dhe pozicionit të saj, ka një rol kyç në përmbushjen e standardeve për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së si dhe interesave ekonomike e fiskale të saj.
Z. Gazheli i kërkoi kësaj strukture një energjizim dhe ndërgjegjësim të ri, një mënyrë të re të të menduarit e të vepruarit, me qëllim forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe zbulimin e shkeljeve doganore në të gjithë territorin. Ai theksoi domosdoshmërinë e përvetësimit të përvojave më të mira të strukturave ligjzbatuese doganore të vendeve të BE-së.